Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës: Izraeli ka të drejtë dhe detyrim të mbrojë popullin nga raketat e Hamasit

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka reaguar lidhur me zhvillimet mes Izraelit në njërën anë dhe lëvizjes islamike palestineze, Hamas, në anën tjetër.

Në një postim në Twitter, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thekson se si çdo shtet tjetër edhe Izraeli ka të drejtë dhe detyrim të mbrojë popullin e tij nga më shumë se 2,000 raketat e gjuajtura në drejtim të civilëve vetëm nga Hamasi, “i cili po i mban civilët palestinezë peng të luftës së tij”.

MPJD shpreh keqardhje për të gjitha viktimat dhe bën thirrje për ndaljen e dhunës dhe kërkimin e zgjidhjeve paqësore.

Në një deklaratë të sotme kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se fushata kundër militantëve palestinezë do të vazhdojë për aq kohë sa nevojitet.

Sot është dita e shtatë e konfrontimeve mes forcave izraelite dhe militantëve palestinezë në Gaza.

Që nga fillimi i luftimeve të paktën 148 njerëz janë vrarë në Gaza, sipas zyrtarëve palestinezë, dhe Izraeli ka raportuar 10 të vdekur, përfshirë dy fëmijë.