Ministria e Financave jep sqarime lidhur me subvencionimin e energjisë elektrike

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka dhënë sqarime lidhur me subvencionimin e energjisë elektrike për familjet në nevojë.

Të njëjtit përmes një postimi në Facebook kanë thënë se subvencionimi i energjisë elektrike bëhet për familjet me asistencë sociale dhe disa kategori të pension marrësve.

“Pension marrësit që do të subvencionohen janë Familjet në Skemën e Ndihmës Sociale; Familjet e Dëshmorëve të UÇK-së; Familjet e Viktimave Civile; Familjet e të Zhdukurve; Invalidët e Luftës; Personat e Verbër dhe Personat Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë”, është thënë në njoftim.

Tutje MFPT-ja ka njoftuar se subvencionimi i energjisë elektrike, sipas ligjeve në fuqi, do të bëhet për vitin 2021, edhe atë për aq muaj sa shfrytëzuesi ka përfituar nga skema/pensioni përkatës.

“Kategoritë e lartpërmendura nuk kanë nevojë që të aplikojnë për të përfituar nga ky subvencionim”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.