Foto: Roberta Metsola, Twitter

Metsola pas liberalizimit të vizave: Moment krenarie për Parlamentin Evropian

Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola e ka quajtur moment krenarie nënshkrimin e vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ajo ka thënë se ky vendim do të bëjë më të lehtë jetën për popullin e Kosovës.

“Nënshkruar, vulosur, dorëzuar. Moment krenarie për Parlamentin Evropia pasi sot dhamë dritën jeshile përfundimtare për liberalizimin e vizave me Kosovën. Kjo do ta bëjë jetën më të lehtë për popullin e Kosovës – të udhëtojë, të bëjë biznes, të thellojë lidhjen me evropianët”- ka shkruar ajo në Twitter.

 

Vendimi për liberalizmin e vizave për Kosovën është nënshkruar sot nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola dhe nga ministrja e Suedisë, Jessika Roswall, e cila e përfaqëson Këshillin e Bashkimit Evropian.

Nënshkrimi është bërë sot pasi të martën Parlamenti Evropian në seancë plenare ka miratuar vendimin për liberalizmin e vizave për Kosovën, me çka edhe ka marrë fund procesi i vendimmarrjes.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Besnik Bislimi dhe ministrja e punëve të jashtme, Donika Gervalla.

Nënshkrimi i vendimit për liberalizimin e vizave, Foto: Roberta Metsola, Twitter

Pas nënshkrimit, Bislimi ka thënë se vendimi do të publikohet në gazetën zyrtare brenda 20 ditësh.

“Sapo u kthyem nga ceremonia e nënshkrimit për liberalizmin e vizave për Kosovën që tashmë u bë vendim zyrtar dhe ky vendim do të publikohet në gazetën zyrtare brenda 20 ditësh, dhe bartësit e pasaportave të Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen më së largu më 1 janar 2024”- ka thënë ai në konferencë për media.

Parlamenti Evropian ka miratuar dje në seancën plenare vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ky vendim do të shënojë njëherit edhe hapin e fundit e procesit të liberalizimit të vizave, i cili ka zgjatur më shumë se 10 vite prej kur ka filluar dialogu për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Sipas vendimit, data e nisjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të jetë koha kur të jetë funksional sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve (ETIAS), apo jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.

Nënshkruhet vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën