Komisioni për Transformim Digjital, Foto:Qeveria e Kosovës
Mblidhet Komisioni për Transformim Digjital, Kurti: Synojmë rritjen e transparencës e llogaridhënies
Qeveria e Kosovës ka njoftuar se sot është mbajtur takimi i parë i Komisionit për Transformim Digjital.
“Digjitalizimi i gjithmbarshëm është një nga objektivat kyçe të programit qeverisës dhe është pjesë e të gjitha shtyllave të Planit Kombëtar për Zhvillim 2030”- citohet të ketë thënë, kryeministri Albin Kurti.
Tutje, në komunikatë thuhet se Kurti ka bërë të ditur se përmes zhvillimit të qeverisjes elektronike janë duke synuar rritjen e transparencës e llogaridhënies dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe bizneseve.
“Duke pasur parasysh rëndësinë e transformimit digjital në të gjitha fushat e qeverisjes, dhe nevojën për avancim të mekanizmave qeverisës për realizimin e këtij transformimi, është themeluar Komisioni për Transformim Digjital, që do të mbikëqyrë dhe sigurojë mbarëvajtjen e procesit të transformimit digjital”-thuhet në komunikatë.
Është bërë e ditur se Komisioni për Transformim Digjital do të shqyrtojë dhe miratojë prioritetet strategjike dhe iniciativat e politikave të reja të Qeverisë në fushën e teknologjisë së informacionit dhe digjitalizimit, ofrojë drejtim strategjik, si dhe do të sigurojë koordinim ndërinstitucional në projektet me rëndësi të lartë në këtë fushë.