Hapësirat e Universitetit të Prishtinës | Foto: KALLXO.com

Mbetet peng vazhdimi i kontratës së sekretarit të UP-së për shkak të dy interpretimeve të ndryshme nga MPB

Dy interpretime të kundërta për të njëjtën çështje, të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme, kanë shkaktuar dilema dhe e kanë lënë peng vazhdimin e kontratës së sekretarit të Përgjithshëm të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Këto dy interpretime të kundërta kanë ardhë nga Ministria e Punëve të Brendshme pasi rektori i UP-së, Naser Sahiti, në fillim të muajit tetor 2021 ka kërkuar interpretim ligjor nga kjo ministri nëse ata mund t’ia vazhdojnë kontratën Esat Kelmendit, i cili ka mbajtur pozitën e sekretarit të Përgjthshëm deri më 25 tetor 2021.

Për të mos mbetur kjo pozitë e zbrazët, rektori e kishte emëruar Kelmendin si U.D sekretar të Përgjithshëm.

Rreth një muaj pas kërkesës për interpretim ligjor nga MPB për vazhdimin e mandatit të Esat Kelmendit si Sekretar të Përgjithshëm të UP-së, rektori Naser Sahiti ka pranuar dy dokumente të ndryshme, një opinion ligjor dhe një mendim këshillimor nga dy zyrtarë të ndryshëm brenda MPB-së.

Në ditën e njëjtë, që MPB kishte dërguar interpretimet ishte mbajtur edhe e mbledhja e Këshillit Drejtues të UP-së. Në këtë mbledhje, rektori i UP-së, Naser Sahiti, i prezantoi këto interpretime para Këshllit, i cili është organ vendimmarrës brenda UP-së.

Por anëtarët e këtij Këshilli sipas burimeve të KALLXO.com refuzuan të marrin vendim për shkak të paqartësive të krijuara nga ana e MPB-së përmes dy interpretimeve të kundërta.

Dy interpretime të ndryshme nga MPB për të njëjtën çështje 

Më 8 nëntor, Ministria e Punëve të Brendshme kishte lëshuar një opinion ligjor, në të cilin thuhej se Esat Kelmendit mund t’i vazhdohet kontrata për një periudhë të pacaktuar kohore duke u bazuar në Ligjin për Zyrtarët Publik.

“Kontrata e punës e nëpunësit të shërbimit publik përfshirë edhe kategorinë e lartë drejtuese në shërbimin publik (ku bën pjesë pozita e sekretarit të UP-së) bazuar në dispozitat e Ligjit për zyrtarët publik është kontratë në kohë të pacaktuar, vazhdohet nga mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë (në rastin konkret rektori), me kusht që vlerësimi periodik i rezultateve në punë të jetë pozitë dhe për pozitën drejtuese në shërbimin publik një ligj i veçantë të mos ketë përcaktuar rregulla që kufizojnë mandatin e pozitës drejtuese në shërbimin publik”, thuhet në konkluzionin e opinionit ligjor.

Në opinion theksohet se hyrja në fuqi e Ligjit për zyrtarë publik përbën shkak ligjor që kontrata e punës për nëpunësin e shërbimit publik përfshirë edhe kategorinë e lartë drejtuese të jetë në kohë të pacaktuar, nëse me ligj të veçantë të këtyre pozitave nuk u kufizohet mandati në kohë të caktuar.

“Pra, nëse pozita e sekretarit të UP-së nuk është kufizuar me mandat kohor me Ligjin për arsimin e lartë ose Statutin e UP-së atëherë kjo pozitë konsiderohet se përtërihet/themelohet me kontratën e punës për një periudhë të pacaktuar”, vazhdon opinioni ligjor.

Në anën tjetër, sipas statutit të UP-së, neni 39, specifikon se sekretari i UP-së zgjidhet në bazë të konkursit publik.

“Sekretari i Universitetit zgjidhet nga Këshilli drejtues sipas propozimit të rektorit, të bazuar në raportin e komisionit profesional të zgjedhur nga rektori, në bazë të konkursit publik”, thuhet në këtë nen.

Kurse, në mendimin këshillimor të lëshuar në të njëjtën ditë me opionin ligjor, pra më 8 nëntor, Ministria e Punëve të Brendshme ka konstatuar se “me mbarimin e mandatit të nënpunësve të shërbimit publik, nuk ka bazë ligjore për vazhdimin e mandatit”.

“Bazuar në paragrafin 4 të nenit 2 të Ligjit për zyrtarë publik, të punësuarit në sektorin e arsimit kanë statutin e nëpunësit të shërbimeve publike. Në mungesë të akteve nënligjore për rekrutimin, klasifikimin, transferimin, vazhdimin e mandatit, sistemimin dhe elemente të tjera të marrëdhënies së punës për nëpunësit e shërbimeve publike duhet të zbatohen drejtpërdrejtë … nenet 6,7,8 dhe 9 si dhe nenet 64 deri 74 të Ligjit për zyrtarë publik. Nëse eventualisht ndonjë proces i rekrutimit, apo ndonjë element i marrëdhënies së punës nuk është i rregulluar me dispozitat e lartpërmendura të Ligjit për zyrtarë publik atëherë mund të zbatohen dispozitat e Ligjit të punës dhe aktet nënligjore të tij. Gjithashtu në mungesë të rregullimit të ndonjë procedure apo afati me Ligjin për zyrtarët publik dhe Ligjin e punës mund të zbatohen dispozitat e Ligjit për procedurën e përgjithshme administrative”, thuhet në mendimin këshillimor të lëshuar nga MPB.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për ta pyetur se pse janë lëshuar dy interpretime të ndryshme në ditën e njëjtë, se cilën duhet ta zbatojë UP-ja, si dhe kush janë zyrtarët kompetentë për lëshimin e opinioneve ligjore.

Këto pyetje janë dërguar më 9 nëntor 2021  dhe që nga ajo ditë, MPB nuk ka kthyer asnjë përgjigje zyrtare.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Ferdinand Nikollën, këshilltarin për media të ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, disa herë përmes telefonit, i cili ka premtuar se do ta shikojë rastin, por as nga ana e tij KALLXOcom nuk ka pranuar ndonjë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Dilemat e Këshillit Drejtues

Kryesueja e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Arbëresha Nela – Turjaka, ka thënë se vendimin do ta bazojnë në dispozitata ligjore në fuqi, duke mos specifikuar ligjet.

“Më lejoni t’ju njoftoj se KD do të veprojë bazuar në dispozitat ligjore në fuqi”, ka thënë ajo.

Ndërsa, sot në mbledhjen e Këshillit Drejtues të UP-së, si pikë e rendit të ditës do të jetë edhe çështja e sekretarit të UP-së.

Sipas burimeve të KALLXO.com, kjo çështje ishte diskutuar edhe në mbledhjen e 8 nëntorit, por ishte shtyrë për sot pas pranimit të dy interpretimeve të ndryshme nga ana e MPB-së dhe dilemave që janë shkaktuar ngaMPB.

Se MPB i ka lëshuar dy opinione ligjore të kundërta ka qenë në dijeni edhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, në konferencën për media, u pyet në lidhje me këtë çështje dhe tha se është në dijeni se MPB ka dërguar dy interpretime ligjore për rastin e sekretarit të UP-së.

“Sekretari i Universitetit është zyrtar publik dhe për këtë është kompetente MPB. Sa kam unë informacione, UP i është drejtuar MPB dhe tek ne s’ka dërguar asnjë kërkesë për interpretim dhe po ashtu i kam marrë përgjigjen prej tyre. Jam në dijeni se janë dy interpretime, por sigurisht këtë e jep MPB se pse kanë shkuar dy dhe cili është intepretimi valid”, tha Popovci më 12 nëntor.

KALLXO.com më 8 nëntor kishte raportuar se rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti, e ka emëruar si ushtrues detyre sekretarin e këtij universiteti, Esat Kelmendi, pa e njoftuar zyrtarisht Këshillin Drejtues të UP-së.

Kelmendit i kishte skaduar mandati më 25 tetor dhe rektori në mënyrë që kjo pozitë të mos mbetet e zbrazët e emëroi si U.D. Esat Kelmendin.

Të pyetur nëse e kanë njoftuar paraprakisht Këshillin Drejtues të UP-së si organ mbikëqyrës i universitetit, nga Rektorati kishin thënë se i kanë njoftuar “në  mënyrë jo-formale”.