Sekretarit të UP-së i skadon mandati, rektori e emëron U.D. pa e njoftuar Këshillin Drejtues

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Naser Sahiti, që nga tetori e ka emëruar si ushtrues detyre sekretarin e këtij universiteti, Esat Kelmendi, pa e njoftuar zyrtarisht Këshillin Drejtues të UP-së.

Kelmendit i kishte skaduar mandati më 25 tetor dhe rektori në mënyrë që kjo pozitë të mos mbetet vakanate e emëroi si U.D. Esat Kelmendin.

“Me qëllim që kjo pozitë të mos mbetet vakante dhe të sigurohet mbarëvajtja, udhëheqja e funksionaliteti në të gjitha nivelet e institucionit dhe duke marrë parasysh kompetencat e rektorit sipas nenit 25, paragrafi 1 dhe neni 28 të statutit, si dhe bazuar në vendimin e njëjtë të Rektorit të mëparshëm për situatë të njëjtë, Rektori ka emëruar z. Kelmendin u.d. të sekretarit të përgjithshëm”, kanë bërë të ditur për KALLXO.com nga ana e zyrës së Rektorit.

Të pyetur nëse e kanë njoftuar paraprakisht Këshillin Drejtues të UP-së si organ mbikëqyrës i Universitetit, nga Rektorati thonë se i kanë njoftuar “në  mënyrë jo-formale”.

“Lidhur me përfundimin e kontratës të sekretarit të përgjithshëm, z. Esat Kelmendi, janë njoftuar individualisht disa anëtarë të KD-së, në takime jo-formale”, thuhet më tej në përgjigje.

Rektori Sahiti megjithatë është duke tentuar që përsëri ta emërojë Kelmendin si Sekretar të Përgjithshëm, duke u thirrur në vendimet paraprake të ish-rektorit Marjan Dema dhe disa opinione ligjore që ai i kishte kërkuar.

Sipas tij, me dispozitat e Statutit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” nuk parashihet kohëzgjatje apo kufizim i emërimit të sekretarit të përgjithshëm.

“Megjithatë, në vitin 2018 ish-rektori, prof. dr. Marjan Dema, i është drejtuar institucioneve kompetente me kërkesë respektive për opinion ligjor lidhur me çështjen e vazhdimit të kontratës të sekretarit të përgjithshëm, z. Kelmendit. Opinioni ligjor i institucioneve kompetente ka qenë që vazhdimi i kontratës t’i bëhet në bazë të përformances për një periudhë pesë vjeçare, pa pasur nevojë për konkurs publik, mirëpo Këshilli Drejtues i UP-së megjithatë kishte vendosur t’i vazhdoj kontratën për 3 vite, e cila ka skaduar më 25 tetor 2021”, thuhet në përgjigjen e Rektoratit.

Sipas Sahitit, Kelmendi është zgjedhur sekretar i përgjithshëm i UP-së sipas rregullave të konkursit publik bazuar në Statutin e UP-së dhe sipas tij, statuti i UP-së nuk parasheh dispozita me të cilat kufizohet kohëzgjatja e emërimit të sekretarit të përgjithshëm.

Por, ka bërë të ditur se kanë dërguar kërkesë për interpretim ligjor në lidhje me vazhdimin e mandatit të tij.

“Në anën tjetër, KD i mëparshëm i kishte vazhduar kontratën për 3 vite. Për këtë arsye në fillim të tetorit 2021, Rektori ka dërguar kërkesë me shkrim për opinion ligjor lidhur me çështjen e vazhdimit të kontratës të sekretarit të përgjithshëm dhe jemi në pritje të përgjigjes përkatëse”, thonë nga rektorati më tej për KALLXO.com.

Në anën tjetër, në statutin e UP-së, neni 25 tek detyrat e rektorit nuk përcaktohet se ai ka të drejtë që të emëroj si U.D. sekretarin.

“Rektori është autoriteti kryesor menaxhues i Universitetit. Rektori është përgjegjës për punën efektive dhe të rregullt të Universitetit dhe për menaxhimin e tij sipas politikës së përcaktuar nga Këshilli drejtues, dhe ka gjithë autoritetin e nevojshëm për ushtrimin e këtyre detyrave. Detyrat e rektorit specifikohen në kontratën e punës”, thuhet në statut.

Po ashtu në këtë statut specifikohet se për pozitën e Sekretarit të Përgjithshsm duhet të hapet konkurs publik dhe ai zgjidhet nga Këshilli Drejtues, sipas nenit 39.

“Sekretari i Universitetit zgjidhet nga Këshilli drejtues sipas propozimit të rektorit, të bazuar në raportin e komisionit profesional të zgjedhur nga rektori, në bazë të konkursit publik”, thuhet në këtë nen.

KALLXO.com përmes burimeve në Këshillin Drejtues ka kuptuar se në mbledhjen e kaluar që është mbajtur të premten, e për të cilën nuk kishte njoftim publik, është diskutuar emërimi i Kelmendit si sekretar në bazë të opinionit ligjor të ish-rektorit Marjan Dema.

Por, në këtë mbledhje KD ka vendosur që deri në pranimin e interpretimit ligjor nga MAP, Kelmendi të mos marrë asnjë vendim.

Po ashtu,  sipas burimeve, mbledhja do të vazhdojë sot dhe pritet që ta pranojnë interpretimin ligjor.