Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe ai serb, Aleksandar Vuçiq - Foto: Facebook/ Aleksandar Vucic

Macron i shkruan Vuçiqit, zotohet se do ta mbështesë dialogun Kosovë Serbi

Presidenti francez Emmanuel Macron përmes një letre ku ka uruar Serbinë për Ditën e Shtetësisë së saj, ka pasur disa fjalë edhe për procesin e dialogut Kosovë – Serbi.

Në këtë letër, Macron ka ripërsëritur se Franca do të vazhdojë të mbështesë dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit bashkë me ndihmën dhe ndërmjetësimin e shteteve të tejra evropiane.

Ai theksoi gjithashtu se anëtarësimi në BE është prioritet i Serbisë.

Ai shprehu dëshirën që sukseset, në këtë kuptim, të ndodhin në muajt e ardhshëm.

“Franca dëshiron të vendosë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor në qendër të presidencës së saj të Këshillit të Bashkimit Evropian, në mënyrë që ta bëjë këtë rajon një zonë paqeje dhe prosperiteti. Edhe një herë ju dërgoj urime të ngrohta dhe ju lutem, z. President, për të marrë shprehjet e respektit tim të thellë”, tha Presidenti Macron në një mesazh urimi, raporton RTS.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se e mbështetë procesin e bisedimeve në Bruksel.

Ai gjatë takimit që kishte më 31 janar me zëvendës ndihmës sekretarin e ShBA-së, njëherit përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se nga dialogu i ndërmjetësuar nga BE duhet të përfitojnë qytetarët e të dy shteteve.

Shefi i Qeverisë kosovare tha se do t’u përgjigjet të gjitha kërkesave dhe nevojave të qytetarëve të Kosovës, duke potencuar edhe qytetarët serbë.