Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Lista Serbe nuk i përkrah rekomandimet për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës

Deputeti i Listës Serbe Igor Simiq, ka thënë se nuk do t’i përkrahin rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti në lidhje me kërkesën e NP KOSTT për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.

Simiq, tha se kjo çështje shpesh po politizohet.

Ai tha se për këtë çështje është fol në Bruksel dhe kanë arrit deri te një marrëveshje që duhet të themelohen dy kompani që do të ofrojnë shërbime për gjithë qytetarët.

“Për fat të keq edhe pse kërkesat janë bërë në mënyrë të rregullt s’kemi fitu përgjigje por është e rëndësishme të bëhet regjistrimi e licensimi i dy kompanive që të mund të funksionojnë në mënyrë normale dhe të ofrojnë shërbime dhe të bëjnë pagesa për këto shërbime. Lista Serbe nuk mund t’i përkrah këto rekomandime”, tha Simiq.

Simiq tha se kjo çështje është e rëndësishme për gjithë qytetarët që jetojnë në Mitrovicën Veriore, serbët, boshnjakët, shqiptarët, romët, turqit të gjithë që jetojnë atje.

“E drejta që të kemi furnizim me energji elektrike në veçanti kur jemi në situatë ku ballafaqohemi me pandemi është e rëndësisë së madhe dhe është e drejtë njerëzore”, tha ai.

Fidan Jilta deputete e KDTP-së tha se për t`u zgjidhur këto probleme nga ana e shtetit duhet të hartohet plani punues sa më shpejtë.

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës ta miratojnë rekomandimin që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) të mbulojë shpenzimet e energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Ajo në seancën e sotme tha se miratimi i propozimit të Komisionit për Ekonomi, kjo do të bëjë zgjidhje për një situatë që është krijuar qysh moti dhe sipas saj është anashkaluar nga 4 qeveri.

“Është rekomanduar që KOSTT të jetë përgjegjës për sigurimin e rrymës pasi është përgjegjës por dhe autorizuar nga ZRrE dhe ka kosto më të ulët nëse KOSTT e blen sesa fatura që i vjen Qeverisë. Duke marrë parasysh rrethanat aktuale dhe anëtarësimit të rrezikut në organizatën Entso-e propozoj që të miratohen rekomandimet”, tha Kusari-Lila.