Largimet nga AAK-ja, flasin nga partia e Ramush Haradinajt

Kohët e fundit Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) po përballet me largim të zyrtarëve të saj.

Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 14 shkurtit, nga të cilat AAK-ja u rendit e katërta, duke siguruar vetëm tetë mandate, nga partia e Ramush Haradinajt u larguan Meliza Haradinaj-Stublla, Rasim Selmanaj duke dhënë dorëheqje nga të gjitha strukturat e AAK-së, si dhe së fundi u largua edhe Xhafer Gashi.

Lidhur me këto largime, zëdhënësi i AAK-së, Lulëzim Blaka ka thënë për KALLXO.com se AAK-ja kolegëve që janë larguar nga partia u uron suksese.

“Kolegëve, të cilët janë larguar nga Aleanca, ju urojmë sukses në të ardhmen e tyre politike. Aleanca, si në të kaluarën ashtu edhe tani, do të vazhdojë të jetë aty për qytetarët e Obiliqit e në zgjedhjet e radhës do të paraqitet me alternativën më të mirë qeverisëse për këtë komunë”, u shpreh ai.

Blaka ka shtuar se AAK-ja do të kërkojë sërish besimin e qytetarëve.

“Kemi punuar për Obiliqin, do të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë, andaj faqebardhë do të kërkojmë sërish besimin e tyre”, tha ai për KALLXO.com.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, të martën ka dhënë dorëheqje nga strukturat e AAK-së, por jo nga qeverisja lokale e Obiliqit.

Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, jep dorëheqje nga të gjitha funksionet në AAK