Kuvendi nderon Ukshin Hotin me një minutë heshtje

Seanca e sotme (16.05.2024) e Kuvendit të Kosovës filloi me një minutë heshtje në nderim të veprimtarit, Ukshin Hoti në 25 vjetorin e zhdukjes së tij.

“Përgjegjëse pa dyshim është Serbia me mekanizmat e saj. I bëjmë thirrje drejtësisë ndërkombëtare dhe vendore të merren me rastin e Ukshin Hotit”– deklaroi Kyretari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Ukshin Hoti, profesor, aktivist e intelektual u zhduk më 16.05.1999.

Në seancën e sotme, Kuvendi i Kosovës pritet të ratifikojë 13 marrëveshje ndërkombëtare pas deklarimit të Partisë Demokratike të Kosovës që do të votojë pro tyre.

Ratifikimi i tyre është bllokuar tash e disa muaj për shkak të pamundësisë të sigurimit të votave nga partia në pushtet.

Ndonëse Qeveria Kurti e ka shumicën parlamentare për të miratuar ligjet, për këto marrëveshje nevojiten së paku 80 vota të deputetëve.

PDK dhe AAK kishin kushtëzuar votimin e tyre me shpalljen e zgjedhjeve të reja dhe shpërndarjen e Kuvendit. Kurse LDK-ja pati thënë se do i mbështesë marrëveshjet, përveç marrëveshjes financiare me Fondin Zhvillimor të OPEC-ut.

PDK insistonte se nuk do t’i votonte marrëveshjet ndërkombëtare, pasi sipas tyre Kosova është ende nën masat e Bashkimit Evropian.

Dje më 15.05.2024, kandidati për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka deklaruar se grupi parlamentar i PDK-së do të votojë pro marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dy ditë më parë, më 13.05.2024, ka zhvilluar një takim me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, me të cilin përveç çështjes së zgjedhjeve të reja, u tha se kanë diskutuar edhe për agjendën legjislative me theks të veçantë marrëveshjet ndërkombëtare.