Parakalimi i Ushtrisë së Kosovës dhe i Policisë në 25-vjetorin e çlirimit Foto: KALLXO.com/ 12.06.2024

Kurti: Ushtria e Kosovës s'ka qenë kurrë më e fuqishme

Kryeministri, Albin Kurti, konsideron se ushtria e Kosovës nuk ka qenë kurrë më e fuqishme se sot.

“Ushtria e Kosovës nuk ka qenë kurrë më e madhe se sot dhe më mirë e armatosur dhe e pajisur. Kurrë nuk ka qenë më e stërvitur, trajnuar e shkolluar në akademitë më prestigjioze ushtarake të ushtrive mike perëndimore, por edhe kurrë nuk ka qenë më e fuqishme dhe më e gatshme për ta mbrojtur territorin dhe sovranitetin tonë dhe jetët tona”– ka deklaruar ai, gjatë ceremonisë së parakalimit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe zyrtarëve të Policisë së Kosovës, në sheshet e kryeqytetit.

Misioni i FSK-së, sipas tij, është që të mbrojë Kosovën dhe të zhvillohet krah aleatëve për të mbrojtur edhe rajonin.

Kurti tha se rreth 1/3 e ushtrisë së vendit, sot, më 12.06.2024, për nder të Ditës së Çlirimit ka zbarkuar në sheshet e Prishtinës për të parakaluar.

“Sa herë që vishni uniformën, kujtojani vetës që po e mbani uniformën pasardhëse të po asaj ushtrie për të cilën Adem Jashari e dha jetën” – u tha kryeministri ushtarakëve.

Brenda tri viteve të fundit, siç tha ai, është dyfishuar buxheti për ushtri, është bërë rekrutimi i 1 mijë e 852 ushtarëve të rinj dhe këtë vit do të i shtohen edhe 600 rekrutë tjerë.

Ai tha se gjatë viteve të fundit pati trefishimin në investimin për armatimin.

25 vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas një fushate ajrore 78-ditëshe kundër caqeve ushtarake e policore serbe. Me futjen e tyre në “tokën e djegur”, iu dha fund luftës së nisur në vitin 1998, mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese serbe.

Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas Marrëveshjes së Kumanovës e cila u arrit më 09.06.1999, ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia pranonte kapitullimin dhe detyrohej t’i tërhiqte të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga Kosova.

25 vjet nga ajo ditë, misioni i NATO-s, KFOR-i, vazhdon të menaxhojë situatën e sigurisë, si në jug, ashtu edhe në veri të Kosovës.

Kosova, një çerek shekulli e lirë