Albin Kurti, Foto: ZKM

Kurti udhëton për në Strasburg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sonte për në Strasburg të Francës për të marrë pjesë në takimin e Komitetit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit me Bashkimin Evropian.

Sipas njoftimit, gjatë qëndrimit dyditor Kurti do të takohet me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.​

“Gjatë qëndrimit dyditor, kryeministri Kurti do të takohet me deputetë dhe kryesues të grupeve kryesore politike të Parlamentit Evropian dhe me Presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

MSA-ja si marrëveshje ndërkombëtare përcakton mekanizmat dhe afatet zyrtare për zbatimin e të gjitha reformave që do ta përafrojnë Kosovën në mënyrë progresive me BE-në në të gjitha fushat e politikave, deri në përmbushjen e të gjitha standardeve të BE-së.