albin kurti

Kurti tregon çka pret të bisedohet në Bruksel

Kryeministri Albin Kurti pas drekës me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, ka thënë se e pranon propozimin e BE-së, por ka theksuar se çka, si e kur – do të diskutohen në Bruksel.

“Çështje e pyetje të caktuara kanë ngelur të diskutohen në bisedimet në Bruksel, e që kanë të bëjnë me mekanizmat implementues, garancitë ndërkombëtare dhe me sekuencimin kohor, çka, si e kur, prandaj këto kanë ngelur të bisedohen në takimet në Bruksel” – tha Kurti gjatë një vizite në fabrikën “Liri” në Prizren.

Kurti edhe një herë theksoi që pala kosovare është e gatshme për t’u takuar, por sipas tij kjo nuk mjafton.

“Konceptet demokratike të këtij propozimi dhe orientimi evropian, neve na mban fuqishëm me shpresë. Ndërmjetësit e përcaktojnë se kur, ndërsa vendi në Bruksel. Ne jemi të gatshëm, të vullnetshëm por për marrëveshje nuk mjafton vetëm kaq sepse nevojitet edhe gatishmëria e palës tjetër” – tha Kurti.

Kryeministri Kurti sot ka zhvilluar një drekë pune me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak.

Pas kësaj dreke, Kurti në Twitter tha që e ka pranuar propozimin e BE-së, i njohur si plani franko-gjerman.

Pas vizitës në Kosovë është raportuar se Lajçak mund të vazhdojë vizitën në Serbi.

As këtë herë nuk janë bërë të ditura hollësitë e vizitës, vetëm se ai do të diskutojë me bashkëbiseduesit për hapat e ardhshëm të dialogut, sidomos për avancimin rreth propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes palëve, por edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut.

Lajçak e ka vizituar Kosovën 10 ditë më parë, kur ka zhvilluar një darkë pune me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe kryenegociatorin e Kosovës në dialog me Serbinë, Besnik Bislimi.

Kurti pas drekës me Lajçak: Ne e pranojmë propozimin e BE-së