Kurti thotë se pret nga bashkësia ndërkombëtare t’i bëjë më shumë trysni Beogradit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Austri ka marrë pjesë në diskutimin “Ballkani Perëndimor: pjesë qendrore e paqes së qëndrueshme në Evropë”, të organizuar nga Akademia Diplomatike e Vjenës, Instituti Austriak për Politika Evropiane dhe të Sigurisë.

Pas këtij diskutimi, në një intervistë për RTK, kryeministri ka folur edhe për bisedimet që ka pasur me kancelarin austriak Karl Nehammer në Vjenë.

Ndër të tjera, Kurti ka folur edhe për situatën e krijuar muajve të fundit në veri të Kosovës e edhe për takimet me shtetin fqinj, Serbinë.

Kryeministri u shpreh se pret që këtë vit, 2023, ndërkombëtarët t’i bëjnë më shumë trysni Beogradit dhe të ketë më shumë angazhim dhe plane për Ballkanin.

“Jam me shpresë që në këtë vit do të ketë një angazhim më të madh të bashkësisë ndërkombëtare, e posaçërisht të BE-së dhe SHBA-ve në mënyrë që të bëhet më shumë trysni mbi Beogradin, të ketë më shumë angazhim dhe plane për Ballkanin dhe në këtë mënyrë shteti normal i Kosovës, që është vendi më proevropian e demokratik në Ballkanin Perëndimor, përveçse të jetë normal vetë, të ketë edhe marrëdhënie normale me fqinjët tanë veriorë” – ka thënë ai.

Tutje Kurti ka folur edhe për dakordimin që ishte arritur që Kosova e Serbia të takohen çdo muaj. Ai ka thënë se beson që është dashur të kenë më shumë takime.

“Me datën 18 gusht të vitit të kaluar ne u patëm marrë vesh në Bruksel që do të takohemi për çdo muaj, në shtator kjo nuk ndodhi, por shtatori erdhi propozimi franko-gjerman që e quajmë propozim i Bashkimit Evropian i mbështetur nga Franca dhe Gjermania dhe nuk pati takim deri më 21 nëntor. Unë besoj që është dashur të kemi takime më të shpeshta sepse edhe mospajtimi është i madh edhe besimi është i ulët, por nuk e di saktësisht pse ka ndodhur kjo” – u shpreh ai.

Kurti foli edhe për gatishmërinë dhe interesimin që ka shprehur për shtim të ushtarëve të KFOR-it në Kosovë.

“Ne kemi shprehur gatishmërinë, kemi shprehur interesimin por megjithatë i takon KFOR-it dhe NATO-s se kur e sa e si do të sillen ushtarë shtesë në Kosovë” – tha shefi i ekzekutivit të Kosovës.

Ai tutje shtoi se nuk duhet harruar që Kosova është në një fazë që po investon vetë në mbrojtje. Ai përmendi faktin se vitin e kaluar Kosova e ka rritur buxhetin për mbrojtje për 52 për qind, ndërsa këtë vit është rritur edhe për 20 për qind të tjera.

“Praktikisht e kemi kaluar 1.5 për qind të bruto produktit vendor edhe po shkojmë drejt 2 përqindëshit që është një lloj kriteri i NATO-s shumë i rëndësishëm” – tha i pari i Qeverisë.

Kryeministri gjithashtu ka folur edhe për ushtrimet fushore “Defender Europe”, duke thënë se Kosova sërish është vend nikoqir i këtij ushtrimi e se numri i ushtarëve pjesëmarrës nga Kosova është rritur.

“Në vitin 2021 ne kemi marrë pjesë me 330 ushtarë në ‘Defender Europe 21’ në mesin e 16 shteteve nikoqire nga 27 gjithsej dhe tash do të jemi sërish vend nikoqir në ‘Defender Europe 23’ ku do të marrim pjesë me 1 mijë e 380 ushtarë” – ka thënë ai.

Kurti është shprehur krenar me këtë rritje të pjesëmarrjes së ushtarëve duke thënë se pos kësaj janë edhe të përgjegjëshëm me përgatitjet që po i bëjnë me Forcën e Sigurisë së Kosovës me komandatin, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj.