Albin Kurti - Kryeministër i Republikës së Kosovës

Kurti: Tash fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se me marrëveshjen e nënshkruar sot në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë është vendosur reciprociteti i targave.

“Targave të Republikës së Kosovës në Serbi do t’iu mbulohet simboli shtetëror, të gjitha targave të Serbisë pa dallim do t’iu mbulohet po ashtu simboli i tyre në territorin e shtetit tonë”, ka shkruar Kurti në facebook.

Kurti po ashtu ka sqaruar se si KFOR-i do të zëvendësoj Policinë e Kosovës në Jarinjë dhe Bërnjak.

“Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka shkuar në Jarinje dhe Bërnjak më 20 shtator për të mbrojtur vendkalimet dhe policinë kufitare nga bllokuesit e rrugëve dhe qarkullimit të lirë. Meqë ata do të largohen, njësia jonë speciale nuk ka pse qëndron atje, dhe mbetet gjithnjë e gatshme për ndërhyrje në çfarëdo cenimi të njëjtë apo të ngjashëm në të ardhmen”, ka shkruar ai.

Sipas Kurtit, policia kufitare në vijim do të zbatojë reciprocitetin e targave. KFOR-i do të qëndrojë aty, rreth dy javë, që gjithçka të jetë e sigurt.

Ai ka thënë se ‘tash fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet’.

“Në javën e shkuar, Presidenti i Serbisë vuri katër kushte për takimin në Bruksel të përfaqësuesve tanë. Natyrisht që nuk ju plotësuan ato dhe dje u zhvilluan bisedimet në Bruksel”, ka theksuar Kurti.

Sot në Bruksel, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për targat.

-Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.

-Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

-Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme.

-Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Punues, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.