Kurti takon Xhaferin, bisedojnë për situatën në rajon dhe bashkëpunimin ndërqeveritar

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka pritur në takim kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Takimi ishte i mbyllur për media, por në komunikatën e qeverisë behet e ditur se marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe hapat e mëtejmë për shtimin e bashkëpunimit, ishin në qendër të këtij takimi.

Sipas njoftimit kryeministri Kurti ka shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për të rritur koordinimin ndërinstitucional dhe për të thelluar më tej raportet ndërshtetërore miqësore.

Ndërsa kryeparlamentari Xhaferi ka shprehur mbështetjen e pa rezervë të vendit të tij për synimet e Kosovës, dhe për të gjitha nismat për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Ai ka thënë se pikëpamjet dhe pikësynimet e të dy vendeve janë të përbashkëta.

“Duke biseduar për kontekstin aktual politik dhe gjeopolitik të rënduar, pas invazionit rus dhe agresionit ushtarak në Ukrainë, u theksua interesimi për të koordinuar politikën e jashtme në linjë me orientimin euroatlantik të të dyja vendeve dhe në raport me aleatët ndërkombëtarë”, thuhet në komunikatë.

Tutje sipas komunikatës, kryeministri Kurti ka theksuar se është tejet e vlefshme që qëndrimet e të dy shteteve të forcohen me bashkëpunim të ndërsjellë.

Ai ka thënë se duhet të jemi të kujdesshëm, teksa nuk frikësohemi.

“Ndërsa, z.Xhaferi tha se beson që këto zhvillime kanë ndikuar në ndërgjegjësimin e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, për të përshpejtuar procedurat e anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor që janë në këto procese”, thuhet tutje në komunikatë.

Në takimin Kurti – Xhaferi sipas njoftimit, është ngritur shqetësimi për militarizimin e Serbisë, dhe kërcënimin që paraqet kjo për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

“Kryeministri Kurti theksoi se këtë situatë e rëndon mohimi i njohjes së Kosovës nga Serbia, mohimi i krimeve të kryera nga Serbia në luftën e viteve 1998-1999 si dhe refuzimi i Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë”, thuhet tutje aty.

Sipas njoftimit, në këtë takim është biseduar edhe për progresin e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në mbledhjen e përbashkët në mes dy vendeve.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi është duke qëndruar në një vizitë zyrtare në Kosovë.

Ai në mëngjes ka takuar homologun e tij Glauk Konjufca të cilit i ka shprehur gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut për ta ndihmuar dhe mbështetur Kosovën në proceset integruese.