Kurti: Serbia të kërkojë marrëveshje të veçantë që t’i mundësohet komunitetit serb të votojë në Kosovë

Kryeministri, Albin Kurti i është drejtuar me letër shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michale Davenport në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Zgjedhjet lokale dhe parlamentare në Serbi do të mbahen më 17 dhjetor të këtij viti.

Kurti ka shkruar se me Serbinë duhet të ketë marrëveshje të veçantë që t’i mundësohet komunitetit serb në Kosovë të merr pjesë në zgjedhjet e Serbisë .

“…me qëllim që të mundësohet që qytetarët e komunitetit serb në Kosovë me shtetësi të dyfishtë të votojnë në zgjedhjet serbe jashtë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, është e nevojshme një marrëveshje e veçantë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”- thuhet në letrën e Kurtit.

Kryeministri Kurti ka deklaruar se kërkesa për marrëveshje duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar dhe se çdo kërkesë duhet të ketë bazë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës.

“Kërkesa për këtë marrëveshje duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar. Dhe çdo kërkesë e tillë duhet të marrë për bazë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, si shtet i barabartë, në përputhje me nenin 2 të Marrëveshjes Bazë të arritur sivjet mes Kosovës dhe Serbisë. Me këto kushte inkurajojmë Serbinë që të negociojë një marrëveshje të tillë speciale me Republikën e Kosovës, duke zbatuar në këtë mënyrë edhe një detyrim tjetër të Marrëveshjes Bazë: të kontribuojë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, në bazë të të drejtave të barabarta dhe respektit reciprok të të drejtat e votuesve jashtë vendit”, thuhet në letrën e plotë”- ka shkruar Kurti në letrën drejtuar shefit të OSBE në Kosovë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com.

Ditë më parë, zyrtarë të OSBE-së i thanë Radios Evropa e Lirë se misioni i kësaj organizate në Kosovë më 3 nëntor ka pranuar një kërkesë nga Qeveria e Serbisë, që ky mision të përfshihet në mbledhjen e votave të serbëve të Kosovës, që kanë shtetësi të dyfishtë, për zgjedhjet në Serbi.

OSBE tha se e ka informuar Qeverinë e Kosovës dhe mekanizmat e tjerë të rëndësishëm për këtë kërkesë, duke shtuar se mbështetja e institucioneve të Kosovës është thelbësore për OSBE-në që të përfshihet në një organizim të tillë zgjedhor.

“Me këto kushte, ne inkurajojmë Serbinë të negociojë për një marrëveshje të tillë të posaçme me Kosovën dhe në këtë mënyrë të zbatohet edhe një obligim tjetër i Marrëveshjes Bazë: kontributi për raporte të mira ndërfqinjësore, duke pasur për bazë të drejtat e barabarta dhe repsketin reciprok për të drejtat e votuesve jashtë shtetit”, thuhet në letrën e Kurtit dërguar shefit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport.