Kurti: Qeveria do të ndajë paratë për mbulimin e importit të energjisë

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës do të ndajë shumën e nevojshme për mbulimin e importit të energjisë që të shmanget edhe rritja eventuale e çmimit të energjisë elektrike.

Kurti në konferencë për media u shpreh se aktualisht dy blloqe të termocentralit “Kosova B” janë  jashtë funksionit.

“Kosova varet nga importet për të mbajtur dritat ndezur. Dy blloqe të termocentralit B aktualisht janë jashtë funksionit, një situatë të ngjashme kemi pasur edhe javën e kaluar por e kemi menaxhuar. Në këtë moment kemi diku 390 megavatë prodhim. Qeveria do të ndajë shumën e nevojshme për mbulimin e importeve. Do të bëjmë maksimumin që ta ruajmë furnizimin e rregullt dhe të shmangim rritjen eventuale të çmimit të energjisë elektrike. Përderisa unë mund të marrë shumë veprime apo masa të përkohshme, jam i varur nga përfshirja e gjithsecilit për ta tejkaluar situatën”, tha kryeministri Kurti në një konferencë për media.

Kurti njoftoi se në mbledhjen e Qeverisë është miratuar vendimi për të kërkuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhënien e autorizimit për Ministrinë e Financave për nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë mes Kosovës, KOSTT-it dhe KFW për projektin e zhvillimit të sektorit të energjisë dhe përmirësimin e rrjetit të transmetimit.

“Në jemi në krye të detyrës, shtetin e kemi gjetur përtokë, në të gjitha drejtimet por së bashku do ta ngrisim në këmbë. Këtë situatë të trashëguar duhet ta përmirësojmë, por ata që na sollën në këtë ditë, le të na kursejnë nga leksionet dhe le të skuqen nga gjendja që na lanë shtetin. Nga mbledhja me korrespodentët e Qeverisë së Kosovës, posa miratuam vendimin për të kërkuar nga presidentja dhënien e autorizimit për Ministrinë e Financave për nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe KOSST, KFW për projektin zhvillimi i sektorit të energjisë, përmirësimi i rrjetit të transmetimit”, tha tutje Kurti.