
Kurti: Programi 'Drejt Malit’ shënon angazhimin e përbashkët për zhvillimin e shëndetit të fëmijëve
Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka marrë pjesë në aktivitetin e performancës së skijimit nga fëmijët e shkollave të ndryshme, në kuadër të programit “Drejt Malit”, në Brezovicë.
Sipas komunikatës së qeverisë, kjo është hera e parë, që Qeveria e Kosovës mbështet organizimin dhe zbatimin e një programi të këtij lloji.
“Me pesë partnerë të programit, me mbi 400 nxënës pjesëmarrës, e me mbi 100 instruktorë, vullnetarë, mësimdhënës, kujdestarë të veçantë dhe prindër, ky program, tha kryeministri Kurti, shënon angazhimin tonë të përbashkët për zhvillimin e shëndetit të fëmijëve dhe edukimin jo-formal përmes aktivitetit fizik”, thuhet në komunikatën e qeverisë.
“Kjo bëhet e mundshme, vetëm atëherë kur ekziston lidhje e ngushtë e arsimit me sportin dhe e sportit me shëndetin”, citohet të ketë thënë Kurti.
Sipas komunikatës, kryeministri ka thënë se ‘programi “Drejt Malit” flet edhe për kapacitetet madhështore që Malet e Sharrit kanë për zhvillimin e sportit dhe turizmit malor dhe se kjo është sezona e parë dimërore e 20 viteve të fundit, që qendra e skijimit Brezovica ka rregulluar statusin e saj të funksionimit dhe ka kthyer imazhin e saj prej një margaritari të bardhë’
Tutje, nga qeveria kanë bërë të ditur se ky program do të zbatohet edhe në vitet në vazhdim me synimin që të rrisim numrin e nxënësve pjesëmarrës dhe fëmijëve që skijojnë në Kosovë.