Kurti për zgjedhjet e parakohshme në veri: Le të nënshkruhet peticioni për përfundimin e mandatit të një kryetari

Zgjedhjet e parakohshme në veri janë opsion që po pranohet edhe nga vet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por me kusht që ato të mbahen ashtu siç e parasheh ligji i vendit.

Pas takimeve bilaterale që pati ai sot me ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, shefi i ekzekutivit tha se zgjedhje të parakohshme po, por jo jashtë ligjit.

“Padyshim jemi të hapur vetëm që zgjedhjet e parakohshme duhet të kenë zgjidhje ligjor. Nuk mund të ketë zgjedhje të parakohshme jashtë ligjit” – tha Kurti.

Ai dha një opsion se si mund të mbahen këto zgjedhje, duke shtuar se siç e parasheh ligji në Kosovë qytetarët mund të mbledhin nënshkrimet e tyre dhe përmes një peticioni t’ia përfundojnë mandatin një kryetari të komunës.

“Kjo është një zgjidhje brenda ligjit dhe është e mundshme në Kosovë, mirëpo nuk mund të bëjmë zgjidhje që nuk janë ligjore sepse ato janë problem” – tha Kurti.

I pari i qeverisë tha se pati gatishmëri që sot të ketë takim trelateral, por që nga pala tjetër nuk erdhi diçka e njëjtë.

“Siç po e shihni në Bruksel është ditë, kemi mundur të vazhdojmë bisedimet, ka pasur kohë që të kemi dialog intensiv deri sa të arrijmë tek një dakordim, gatishmëria ime nuk mungon, gjithashtu edhe propozimet konkrete, por kemi një lloj ikje të palës tjetër nga situata dhe nga zgjidhja e mundshme” – tha Kurti.

Lidhur me një nga tri propozimet e përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell për shtensionim të situatës, e që është largimi i forcave policore nga objektet komunale, foli edhe Kurti.

“Unë i thash edhe zotëri Borrell që Policia nuk është në afërsi të ndërtesave, është brenda tyre dhe që prania e tyre aty nuk është e dëshirueshme për neve, është e obligueshme për ta duke pas parasysh ekstremist të dhunshëm që kanë qëlluar mbi ushtar të KFOR-it, policët dhe gazetarët” – u shpreh shefi i ekzekutivit.

Ai tutje shtoi se është optimist se ndonëse nuk kishin takim trelateral, në ditët dhe javët në vijim do të kemi mbase ditë më të qeta dhe paqësore.

“Por natyrisht, nuk ka garancion për një gjë të tillë për shkak se vazhdojmë të kemi numër të madh të atyre kriminelëve që ndonëse figurojnë në listat e personave që janë me fotografi e me video-xhirim duke sulmuar qytetarët, gazetarë, KFOR-in e Policinë vazhdojnë të mos jenë prapa grilave” – tha Kurti.

Që nga 26 maji, qytetarët serb janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të zgjedhur më 23 prill 2023, nëpër objektet komunale në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok.

Gjatë protestave me dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it dhe protestuesve mbetën të lënduar. Të lënduar gjatë këtyre ditëve pati edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Me lëndime trupore mbetën edhe gazetarë të mediave të ndryshme, të cilët që nga fillimi i protestave janë sulmuar vazhdimisht gjatë raportimeve të tyre nga kjo zonë.

Veturat e mediave, e edhe të Policisë së Kosovës u thyen e u djegën.

Për sulmet që u bënë në drejtim të gazetarëve u arrestuan disa persona, e një nga të arrestuarit gjatë këtyre ditëve po dyshohet të jetë i përfshirë edhe në sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it e po ashtu edhe për sulm ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor, KKZ në dhjetor të vitit të kaluar në veri.

Personi që po dyshohet për kryerje të këtyre veprave penale është Milun Milenkoviq i njohur si Llune, i cili u arrestua më 13 qershor 2023.

Vetëm një ditë pas arrestimit të tij, më 14 qershor Policia e Kosovës kishte konfirmuar se tre zyrtarë policorë kufitar patrullues ishin kidnapuar nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës.

Për këtë rast, autoritetet e Serbisë kanë qëndrim tjetër. Ata thonë se nuk ka pasur kidnapim, por arrestim pasi pretendojnë se policët gjendeshin në territor të Serbisë.

Tre policët e Kosovës të cilët gjenden në një qendër paraburgimi në Kralevë të Serbisë, më 19 qershor u vizituan nga shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari.

Gjykata e Lartë në Kralevë, më 16 qershor mori vendim për masën e paraburgimit prej 30 ditëve ndaj policëve të Kosovës.

Për lirimin e tyre, pati kërkesa të shumta nga ana e ndërkombëtarëve e edhe nga ana e udhëheqësve shtetëror të Kosovës.