Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vizituar ekspozitën 'Reporting House' në Prishtinë - Ai sheh pamjet e ekspozuara të tij në kohën e luftës Foto: Albin Kurti/ Facebook - 18.06.2024

Kurti në ‘Reporting House’: Ekspozitë e rëndësishme për kujtesën tonë kolektive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka vizituar ekspozitën “Reporting House” [Shtëpia e Gazetarëve], në Prishtinë më 18.06.2024, e cila shpalosë materiale të ndryshme të gazetarëve që raportuan gjatë luftë së fundit në Kosovë.

Kurti ka thënë se kjo është një ekspozitë e rëndësishme për kujtesën kolektive të Kosovës.

“REPORTING HOUSE, një ekspozitë e rëndësishme për kujtesën tonë kolektive. Ekspozita nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery, prezanton vepra nga emra të njohur nga bota e artit dhe rreth 150 kronika televizive me xhirime për Kosovën. Kjo ekspozitë e realizuar nga Jeta Xharra dhe kuruar nga Gazmend Ejupi do të jetë e hapur deri në mes të shtatorit”- ka shkruar kryeministri në një postim në Facebook.

Kurti ka lartësuar kontributin e gazetarëve me raportimet e tyre në kohë lufte.

“Dritëshkrime mbi errësirën e viteve të 1990-ta. Fotografi dhe reportazhe, dëshmi të një kohe të vështirë dhe të rëndë. Gazetarë të guximshëm që rrezikuan jetën për të vërtetën.”

“Qëndresa dhe sakrifica e popullit të Kosovës. Shtëpitë-shkolla. Protesta kundër dhunës. Lufta për liri. Vepra arti e artefakte për historinë e jetuar. Kujtime të vuajtjeve dhe triumfeve tona. Është përkujtim dhe nderim për të gjitha gratë dhe burrat që u angazhuan për çlirimin dhe lirinë e Kosovës”- thuhet në publikimin e kryeministrit Kurti.

Kurti ka qenë i shoqëruar nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Në Prishtinë më 10.06.2024 është hapur ekspozita “Reporting House” apo “Shtëpia e Gazetarëve”.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës kanë marrë pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ambasadorë të vendeve mike e udhëheqës misionesh ndërkombëtare në Kosovë.

E prodhuar nga BIRN Kosova, KALLXO.com, Bienalja e Prishtinës dhe Paper Gallery, ekspozita prezanton punën e gazetarëve, fotografëve dhe artefakte të punonjësve të mediave, punë këto që vendosen krahas veprave të artit bashkëkohor që reflektojnë mbi ndikimin e luftës në dekadat që pasuan.

Pjesë e kësaj konference ishin: Jeta Xharra, Drejtoreshë Ekzekutive e BIRN Kosova dhe producente e ekspozitës, Gazmend Ejupi, kurator i ekspozitës, David Loyn, korrespondent i BBC TV gjatë luftës në Kosovë, Vaughan Smith, producent dhe kameraman i reportazheve të BBC-së, Emir Suljagiq, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës Përkujtimore në Srebrenicë (Bosnjë dhe Hercegovinë), Lana Çmajqanin, artiste nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Donika Shahini Lami, gazetare dhe përkthyese gjatë luftës për Televizionin Publik Japonez NHK dhe revistën “Kombi”.

Si pjesë e kësaj ekspozite prezantohen rreth 150 storje televizive të rrjeteve televizive botërore që janë transmetuar me xhirime për Kosovën ndërmjet viteve 1992 dhe 1999 nga BBC, Das Erste (TV publik gjerman), Nippon TV (NHK, TV publik japonez), RTE (TV publik irlandez), EO 2 Vandaag (TV publik holandez), Tele 5 (TV spanjoll) dhe Frontline Television News.

Këto reportazhe promovojnë punën e gazetarëve, fotografëve, operatorëve të kamerave dhe përkthyesve e producentëve lokalë që punuan në to.