Kurti: Komunitetet dhe diversiteti janë pasuri për Kosovën

Me ftesë të kryeministrit Albin Kurti sot u organizua një pritje për të shënuar shpërblimin me çmim vjetor nga Bashkimi Evropian për integrimin e komuniteteve rome në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi të Zyrës për Qeverisje të Mirë.

Krahas Organizatës për Stabilitet Socio-Ekonomik, që gjithashtu ishte shpërblyer nga BE-ja për punë me komunitet, të pranishëm ishin edhe zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, ambasadorë të akredituar, deputeti nga radhët e komunitetit joshumicë Erxhan Galushi, udhëheqës të organizatave ndërkombëtare e drejtues të organizatave të shoqërisë civile.

Sipas komunikatës së Qeverisë, Kurti ka thënë se janë duke punuar për t’i tejkaluar sfidat për realizmin e plotë të të drejtave të komuniteteve.

“Komunitetet dhe diversiteti janë pasuri për Kosovën, por ne i dimë sfidat që ekzistojnë për bashkëqytetarët tonë romë, ashkali dhe egjiptianë. Jemi të përkushtuar që së bashku me shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë do t’i tejkalojmë këto sfida për realizimin e plotë të të drejtave të komuniteteve”- citohet të ketë thënë Kurti.

“Në veçanti, jam i lumtur për Strategjinë për avancimin e të drejtave të komuniteteve rom dhe ashkali, të cilën qeveria jonë e miratoi vitin e kaluar. Falë punës së përkushtuar të Zyrës për Qeverisje të Mirë, ka më shumë gjasa të realizohet kjo Strategji për shkak të ndarjes së buxhetit për të gjitha aktivitetet – gjë që nuk është bërë deri më tani” –  ka theksuar ai.

Tutje sipas komunikatës, Kurti ka thënë se në këtë iniciativë të Qeverisë, fokus të veçantë i kanë kushtuar gjuhës kundër urrejtjes dhe diskriminimit dhe me hapjen e platformës www.raportodiskriminimin.org Qeveria ka dëshmuar përkushtimin për monitorimin e rasteve të diskriminimit dhe zgjidhjen e tyre.

Po ashtu, sipas komunikatës, Kurti ka thënë se tha se këtë vit kanë ndarë edhe bursa për nxënës nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian dhe 200 mijë euro për qendrat arsimore ku mësojnë fëmijët e këtyre komuniteteve.

Duke theksuar punësimin si një prej sfidave kryesore, për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian, Kurti ka thënë se për këtë kanë krijuar ekipin ndërinstitucional për promovimin e punësimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian duke shprehur mirënjohje për drejtorin Habit Hajredini dhe ekipin e tij për funksionalizimin e këtij mekanizmi.

“Ne kemi shënuar suksese me numrin e romëve, ashkalive dhe egjiptianëve që kanë përfituar nga trajnimi në Qendrat e Trajnimit Profesional; vitin e kaluar 104 romë, ashkali dhe egjiptianë përfituan nga ky trajnim – një rritje nga vetëm 34 një vit më parë. Po ashtu jemi të lumtur krahas raundin paraprak të rekrutimit kur vetëm një pjesëtar i komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian është pranuar si polic, prej rekrutimit të fundit kemi progres, me 3 gra dhe 6 burra nga këto komunitete” – ka thënë ai.

Tutje në komunikatë bëhet e ditur se drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Habit Hajredini, në fund të muajit të kaluar u shpërblye me çmim nga Komisioni Evropian për Integrimin e Romëve në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi. Ky është çmimi i parë që i kushtohet një zyrtari të lartë si nëpunës civil në Qeverinë e Republikës së Kosovës.