Kurti: KEK-u gjatë këtij viti ka siguruar rreth 60 milionë euro të hyra shtesë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se gjatë këtij viti KEK-u edhe pse e ka furnizuar KESCO-n dhe KEDS-in me çmim të ulët falë eksportit të suficitit ka siguruar afërsisht 60 milionë euro të hyra shtesë.

“KEK-u gjatë këtij viti, edhe pse e ka furnizuar KESCO-n dhe KEDS-in me çmim të ulët, falë eksportit të suficitit ka siguruar afërsisht 60 milionë euro të hyra shtesë. Paramendojeni se si do të dukej kjo shumë sikurse KEK-u të kishte operuar me gjithë kapacitetin e kjo do të kishte ndodhur sikur se ato 1 miliardë euro investime të ishin përdorur jo për zhvatje por për përmirësim të blloqeve ose sikur Kosova të kishte investuar nga kapacitete tjera. Apo sikur të mos kishin pasur tarifa që nxisin konsumin e energjisë mbi mesataren Evropiane, apo sikurse KEDS-i të kishte qenë në pronësi të KEK-ut, por asnjërin prej këtyre shkaqeve gishti nuk mund të drejtohet kah Qeveria e jonë”, ka deklaruar Kurti gjatë seancës së Kuvendit.

Tutje, ai ka thënë se tregu i energjisë në Kosovë është njësoj i rregulluar si në vendet e Evropës, që sipas tij ky rregullim nënkupton që furnizuesi nuk mund ta lëvizë çmimin sipas lëkundjeve në treg por sipas tarifave të përcaktuara nga rregullatori.

“Ne që nga muaji gusht kemi shpenzuar energji me kosto shumë më të lartë nganjëherë edhe  mbi dhjetëfish të kostos vendore. Natyrisht edhe ata që na kanë shitur këtë energji kanë marrë para. Pra pyetja është si do të paguhen këto fatura? Në një treg të rregulluar janë vetëm tri opsione : reduktimi përmes shkyçjeve nga rrjeti energjetik, mbulimi nga shteti përmes subvencioneve apo rritja e tarifave. Zgjidhje tjetër nuk ka”, tha Kurti.