Kurti i përgjigjet Thaçit, i thotë se s’mund t’i bëj presione

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ia ka nisur punës me një letër-përgjigje nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Në këtë letër dy faqëshe, Kurti i ka shpjeguar Thaçit se nuk mund t’i bëhet presion për formimin e ekzekutivit të ri kosovar.

Në fund, ai ka njoftuar se negociatat për koalicion me LDK-në janë në fazën e fundit.

“Ne kemi pranuar letrën tuaj të datës 10 janar 2020. Duke dashur të mirëkuptojmë rolin tuaj kushtetues, dua që fillimisht me keqardhje të konstatoj se mesazhi juaj përbën ndërhyrje dhe paragjykim të formimit të institucioneve dhe paralajmërim kërcënues, në këtë rast për subjektin fitues”, ka shkruar Kurti.

“Roli i presidentit duhet parë vetëm në kuadër të pozicionit kushtetues që ka, e jo pozicionimit të tij subjektiv dhe politik”.

“Kushtetuta e Kosovës nuk i njeh presidentit diskrecion e as rol aktiv në procesin e caktimit të mandatarit apo edhe të garantimit të një shumice parlamentare për zgjedhjen e Qeverisë në Kuvend. Kjo si rrjedhojë e parimit që quhet ‘zinxhir i legjitimimit kushtetues’ ku i vetmi organ kushtetues që legjitimohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga populli është Kuvendi, andaj, ndaj të njëjtit mund t’i supozohet ose t’i imponohet shprehja e vullnetit nga një organ tjetër sikur që është Presidenti i Republikës”, thuhet tutje në letrën e Kurtit.

“Ju lusim që mos të bëni vlerësime politike dhe presion përmes paragjykimit të procesit politik të formimit të qeverisë. Ai proces është përcaktuar qartë me Kushtetutë dhe i sqaruar në hollësi me aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese dhe ku Presidenti nuk mund të bëjë interpretime shtesë”, thotë ai.

“Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit 2019. Ne ende nuk ua kemi dërguar Juve propozimin tonë për Kryeministër. Do ta bëjmë këtë në të ardhmen e afërt, me shkresë zyrtare, porsa të jemi gati”, thuhet tutje në letrën e Kurtit drejtuar Thaçit sot në mëngjes.

Vonesat për krijimin e koalicionit, Kurti i ka quajtur normale ndërsa ka njoftuar edhe për zhvillimet në negociatat me LDK-në.

“Shfrytëzoj këtë letër t’ju informoj që ndodhemi në fazën e finalizimit të marrëveshjes me Lidhjen Demokratike të Kosovës”.