Kurti bisedoi me presidentin e Këshillit Evropian

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot gjatë ditës ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

Siç bëhet e ditur nga Zyra e Kryeministrit, Michel e uroi kryeministrin Kurti për fitoren në zgjedhjet parlamentare të këtij viti dhe për marrjen e detyrës së kreut të Qeverisë.

Gjithashtu thuhet se në prag të vizitës së kryeministrit Kurti në Bruksel, presidenti i Këshillit Evropian i shprehu mirëseardhje në kryeqendrën e Bashkimit Evropian.

Ndërkaq, Kurti e njoftoi presidentin Michel për prioritetet e Qeverisë, e që mbizotërohen nga menaxhimi i pandemisë dhe sigurimi sa më i shpejtë i dozave të reja të vaksinave.

“Këtu, ai e falënderoi presidentin Michel për mbështetjen e BE-së në sigurimin e dozave të vaksinave nëpërmjet mekanizmit COVAX. Kryeministri Kurti nënvizoi synimet e qeverisë në investime të reja që ofrojnë vende të reja të punës dhe reformat në drejtësi, si pjesë e luftës kundër korrupsionit. Në fund të takimit, kryeministri Kurti ritheksoi angazhimin e qeverisë për një dialog të përgatitur mirë ndërmjet Kosovës e Serbisë”, thuhet në komunikatë.