Kurti: Bashkërisht duhet të diskutojmë se si të dalim nga kriza

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga deputetët që bashkërisht të diskutojnë se si të dalin nga kriza me energjinë elektrike.

Ai gjithashtu tha se stafi profesional i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë nuk e ka rekomanduar heqjen e tarifave në kohën kur ishin hequr ato.

“Stafi profesional i ZRrR-së nuk ka rekomanduar heqjen e tarifave përkundrazi. Pra ajo çka duhet ta kuptoni është se në kundërshtim me komisionin parlamentar të asaj kohe dhe në kundërshtim me bordin e ZRrE-së të asaj kohe ka qenë rekomandimi i stafit profesional”, ka thënë Kurti.

Kurti shtoi se është e vërtetë që kanë fituar mbi 50% të votave por që sipas tij shteti nuk është i barabartë me pushtetin.

“Të kërkosh prej meje ta marr këtë vendim është të kërkosh prej meje të bëhem diktator. Ne është e vërtetë që kemi fitu mbi 50 për qind por shteti nuk është i barabartë me pushtetin”, deklaroi Kurti.

Kryeministri theksoi se raporti i ZRrE-së nuk është leje ose merre por që duhet t’i nënshtrohet diskutimeve.

“ZRrE ka sjellë raport. Ai raport nuk është leje ose merre, ai raport i nënshtrohet diskutimit publik, ai raport do të mund të marr komentet e juaja, ai do të marr komentet e Qeverisë tonë, do të marr komentet e ministrave të linjës, të grupeve parlamentare të komisioneve, prandaj ekziston si ZRrE. Cili është kuptimi që të kemi ZRrE nëse unë duhet ta marr vendimin?”, ka thënë ai.