Kujdesi për të moshuarit

Ranko Kostiq është zyrtar në Komunën e Klinës me kombësi serbe. Në kohën kur e gjithë bota, e edhe Kosova po ballafaqohej me pandeminë e panjohur COVID-19, ku paniku e madhe ishte prezent pothuajse gjithkund, e njerëzit rrinin të izoluar, Kostiq kishte vendosur krejt ndryshe.

Ai kishte zgjedhur që në këtë kohë të kujdesej për të moshuarit e personat që janë në nevojë të madhe.

Ranko Kostiq është zyrtar për integrimin e komuniteteve në Komunën e Klinës dhe gjatë pandemisë ishte kujdesur edhe për komunitetet që jetojnë në këtë komunë por edhe për shqiptarë.

“I kemi vizituar çdo ditë, pasi nga dita e parë kam qenë i përfshirë në Shtabin e Krizës të Komunës së Klinës”, thotë Kostiq.

Me një veturë, Kostiq kishte ndihmuar familje të shumta në rrethinën e Klinës. Të moshuarit kanë qenë komuniteti për të cilën është përkujdesur më së shumti, duke i ofruar barna e ushqime.

Gashiq Spasenka, e cila jeton vetëm më burrin e saj në një fshat të Klinës, ka treguar se gjatë kohës së Pandemisë, nuk i kishte vizituar askush, përpos Ranko Kostiqit.

“Unë vetëm mund t’i falënderohem Ranko Kostiqit. Ai i ka sjellë burrit tim ilaçe dhe jo vetëm një herët por shumë herë. Na ka sjellë miell. Çka do që kam pas nevojë, i jam drejtuar atij. S’ka qenë askush tjetër për t’u interesuar, për të na pyetur se si po jetojmë”, tregon Gashiq Spasenka.

“Bashkë me motrën medicinale Sharkoviq Millican, e cila është caktuar në detyrë si motër medicinale në fshatin serb Videjë, kemi vizituar të kthyerit në territorin e komunës së Klinës dhe me kohë ua kemi dhënë terapinë e caktuar nga mjeku. Këtë e kemi bërë çdo ditë. Po ashtu kemi shërbyer edhe me gjësende ushqimore. Merrnim listën nga njerëzit në nevojë se çka u duhet, kemi blerë gjëra për ta dhe pastaj ua kemi dërguar në shtëpi”, tregon Kostiq.

Ai edhe sot, kur kanë kaluar më shumë se 1 vit e gjysmë që prej fillimit të pandemisë, u ndihmon njerëzve në nevojë në territorin e Klinës.

Kostiq thotë se ndihmat shpesh herë i ka dhënë edhe nga shporta e familjes së tij.

“Çdo ditë kam dal në teren. Kam shkuar nga shtëpia në shtëpi dhe që 17 vjet punoj këtu. E di kush ka nevojë e kush jo. Kam dhënë edhe nga shtëpia ime, nga prodhimi im. Pasul, patate, mish u kemi dhënë njerëzve në nevojë”, thotë Kostiq.

 

Kjo seri e artikujve për BIRN mbështetet nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK)