Foto: REL/AFP

Kryeministri britanik kthehet në punë

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, do të kthehet në punë të hënën, një muaj pasi u diagnostikua me koronavirus dhe u shtrua në njësinë e kujdesit intenziv në një spital në Londër.

Ministri i Jashtëm, Dominic Raab, i cili e zëvendësoi kryeministrin, tha se Johnson po “përgatitej për punë”.

Kthimi i tij vjen në kohën kur janë shtuar kritikat ndaj qeverisë për mungesë të testimeve dhe mjeteve mbrojtëse për punëtorët e Shërbimit Shëndetësor.

Ministrat e qeverisë britanike janë nën presion edhe për përgatitjen e një plani të zbutjes së masave të izolimit.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, pritet që këtë javë të nxjerrë planet për të lehtësuar masat e marra për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins, në Mbretërinë e Bashkuar janë të konfirmuar 154,037 raste të të infektuarve me koronavirusin e ri.

Mbi 20 mijë pacientë kanë vdekur nga sëmundja COVID-19./REL