Presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviq

Kroacia cakton datën e zgjedhjeve presidenciale

Kroacia do t’i mbajë zgjedhjet presidenciale muajin e ardhshëm, njoftoi kryeministri i këtij vendi, Andrej Plenkoviq.

Zgjedhjet e 22 dhjetorit do ta nxjerrin presidenten aktuale, Kolinda Grabar-Kitaroviq, kandidate e Unionit Demokratik të Kroacisë, në garë kundër kandidatit të Social-Demokratëve dhe ish-kryeministrit, Zoran Millanoviq, raporton REL.

Dy kandidatë të pavarur gjithashtu kanë mbështetje në sondazhe.

Pozita presidenciale është kryesisht ceremoniale në Kroaci.

Presidenti nuk mund t’iu vë veto ligjeve, por ka rol në politikën e jashtme dhe mbrojtje.

Sipas sondazheve të fundit, Garbar-Kitaroviq është favorite për t’i fituar zgjedhjet me rreth 29 për qind të votave, ndërsa Millanoviq do të jetë i dyti me 24 për qind.

Në garë do të jenë edhe Miroslav Skoro, këngëtar, dhe ish-gjykatësi Mislav Kolakushiq.

Nëse asnjëri nuk e fiton shumicën në rrethin e parë të zgjedhjeve, rrethi i dytë do të zhvillohet më 5 janar të vitit 2020.