Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Foto: ZKM

Krimet e luftës: Prokuroria Speciale i kundërpërgjigjet kryeministrit Kurti

Kryeministri, Albin Kurti, nëpërmjet një statusi në Facebook, të publikuar më 30.05.2024, ka thënë se Prokuroria Speciale duhet të jetë më aktive në sjelljen para drejtësisë të gjithë atyre që janë përgjegjës për krimet e luftës në Kosovë.

Ai ka theksuar se aktakuzat e ngritura për gjykim në mungesë mund të numërohen në gishta, për sa kohë që adresimi i krimeve të Serbisë të kryera në Kosovë duhet të jetë prioritet.

“Nga të gjitha masakrat ka dëshmitarë dhe dëshmi, të cilat Prokuroria do të duhej t’i kthej në dosje provash për aktakuza për krime lufte. Republikës dhe popullit i duhen prokurorë aktivë e të mençur, dhe gjykatës efikasë e të ditur, të sjellin para drejtësisë të gjithë ata që janë përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës. Një pjesë e emrave të tyre dihen publikisht e shumë prej tyre njihen nga të mbjetuarit e nga familjarët e viktimave. Andaj, bëjmë thirrje sërish që shtylla tjetër e pushtetit në Kosovë, sistemi i drejtësisë, të veprojë, sepse është koha e fundit të sjellin drejtësi për viktimat e luftës. Qeveria ka rritur buxhetin, andaj bëjmë thirrje që Këshilli Prokurorial urgjentisht të rrisë kapacitetet për adresim të krimeve të luftës.” – ka shkruar Kurti.

Një ditë pas, Prokuroria Speciale përmes një reagimi ka shprehur “indinjatë të thellë ndaj qasjes së vazhdueshme joproduktive” të kryeministrit ndaj Prokurorisë për krimet e luftës.

Sipas kësaj Prokurorie, komentet e vazhdueshme nga kryeministri janë në kundërshtim të plotë me parimet kushtetuese të ndarjes së pushteteve dhe standardeve ndërkombëtare për pavarësinë e Gjyqësorit.

Prokuroria Speciale në reagimin e saj ka informuar publikun se që 5 vjet, nga marrja e kompetencave për hetimin e krimeve të tilla, ka bërë punë jashtëzakonisht të madhe, duke shpalosur edhe shifra lidhur me numrin e aktakuzave të ngritura e numrin e personave të akuzuar deri më tani.

“Prokuroria Speciale, aktualisht, ka të regjistruara gjithsej 60 aktakuza për krime të luftës për 56 raste, ndaj 165 personave” – thuhet në reagimin e PS-së.

Kjo Prokurori ka potencuar edhe vështirësitë me të cilat ka hasur gjatë punës.

“KPK sjell në vëmendje të opinionit publik se në 20 vjetët e fundit, asnjëherë nuk është miratuar kërkesa buxhetore e plotë (në lartësinë 100% të kërkesës)… Poashtu ju informojmë se ka përfunduar proceduara e avancimit të prokurorëve, nga ana e Këshillit Prokurorial dhe duke filluar nga data 1 qershor 2024, në Departamentin për Hetimin e Krimeve të Luftës në Prokurorinë Speciale do të shtohen edhe dy (2) prokurorë, ku numri total i prokurorëve në këtë departament do të jetë pesë (5),.” – thuhet tutje në reagim.

Në fund të reagimit, kjo Prokurori i ka bërë thirrje Kryeministrit dhe çdo zyrtari tjetër shtetëror që të shmangin deklarimet publike që nuk përkojnë me gjendjen reale si dhe ka ftuar qytetarët për bashkëpunim në sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë.