Krasniqi: Burrat që po mbahen në Hagë, testament i gjallë i përpjekjeve për liri dhe shtet

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka uruar qytetarët për Ditën e Çlirimit, duke shprehur nderime dhe mirënjohje ndaj të gjithë atyre që kontribuan për lirinë e vendit.

“12 qershori i vitit 1999 është nga ato ditët që secili prej nesh që e ka përjetuar e kujtojmë mirë se ku kemi qenë dhe çfarë kemi bërë atë ditë. Kjo ditë dikë e ka gjetur jashtë shtetit si të dëbuar dhunshëm apo nëpër kampe të refugjatëve, dikë në Kosovë duke u strehuar maleve, dikë nëpër burgje të Serbisë, por një kategori e zgjedhur e popullit tonë, kjo ditë e ka gjetur me pushkë në dorë nëpër frontet e luftës, të gatshëm të vdesin për liri duke ndjekur shembullin e pishtarit më të ndritshëm të rrugëtimit tonë kombëtar, komandantit legjendar Adem Jashari”, – tha Krasniqi, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, në shënim të 25-vjetorit të çlirimit të vendit.

Ai i falënderoi edhe ndërkombëtarët për kontributin e tyre për lirinë e Kosovës.

Krasniqi tha se këto 25 vjet, “na kanë mësuar se liria kurrë nuk është e garantuar dhe s’mund të merret si e mirëqenë”.

“Për liri duhet luftuar e mbrojtur çdo ditë. Për të duhet punuar ndershëm e me zellë për t’ia kaluar brezave të ardhshëm, e kush e di këtë gjë më mirë se ne këtu, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe shokët e tyre që janë në Hagë, që kanë pothuajse 4 dekada që luftojnë për liri dhe pavarësi, që nga protestat studentore, celulat e para të krijimit të UCK-së, luftën e tyre çlirimtare, përpjekjet për pavarësi. Lufta e tyre nuk u ndalë kurrë. Sot jemi në vitin 2024, tashmë ata janë burra të thinjur, ndërsa beteja e tyre për lirinë tonë po vazhdon” tha Krasniqi.

“Këta burra janë testament i gjallë i sakrificave dhe përpjekjeve të pandalshme që kërkon liria dhe shteti. Dhe të jemi të bindur që shumë shpejt ata do t’i kemi në mesin tonë, prandaj sot në këtë ditë të shënuar për të cilën kanë kontribuar shumë ua dërgojmë urimet dhe të falat nga këtu nga mbarë populli i Kosovës, ju themi se ju jeni heronj të luftës e paqes”, shtoi ai.

25 vjet më parë, më 12 qershor 1999, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas një fushate ajrore 78-ditëshe kundër caqeve ushtarake e policore serbe. Me futjen e tyre në “tokën e djegur”, iu dha fund luftës së nisur në vitin 1998, mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave okupuese serbe.

Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas Marrëveshjes së Kumanovës e cila u arrit më 09.06.1999, ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson. Me këtë marrëveshje, Serbia pranonte kapitullimin dhe detyrohej t’i tërhiqte të gjitha forcat policore dhe ushtarake nga Kosova.

Kosova, një çerek shekulli e lirë