Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

KQZ-ja nesër publikon rezultatet përfundimtare për Podujevën dhe Mitrovicë të Veriut

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nesër do t’i publikojë rezultatet përfundimtare për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, sipas rezultateve preliminare ka fituar zgjedhjet në këtë komunë në raundin e parë me 51.6 për qind.

Kandidat për kryetar të Podujevës ishte edhe Nexhmi Rudari nga LDK dhe Naim Fetahu nga PDK.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 29 nëntor kishte publikuar edhe rezultatet preliminare të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut.

Këto rezultate e nxjerrin fitues kandidatin e Listës Serbe, Milan Radojeviq me 89.96% të votave.

Në zgjedhjet për Mitrovicën Veriore garuan katër kandidatët, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, Dushan Milunoviq si kandidat i pavarur, Milan Radojeviq nga Lista Serbe dhe Florent Azemi nga Partia Demokratike e Kosovës.