Zagreb, Kroaci

Kosovarët që udhëtojnë për në Kroaci do të detyrohen të vendosen në vetizolim

Që nga sot ka hyrë në fuqi vendimi që udhëtarët nga Kosova me rastin e hyrjes në shtetin e Kroacisë do të jenë të detyruar të qëndrojnë në vetizolim 14 ditor.

Ky vendim i Kroacisë vlen edhe për vendet si Serbia, Bosnja Hercegovina dhe nga Maqedonia e Veriut.

“Qytetarët e këtyre shteteve do që detyrohen të qëndrojnë në vetizolim 14 ditor, por ky vendim nuk vlen për qytetarët e këtyre shteteve të cilët udhëtojnë në mënyrë kalimtare nëpër Kroaci”, ka thënë kreu i mbrojtjes civile Davor Bozhinoviq, duke shtuar se të gjithë personat që shkojnë nga këto shtete në Kroaci do të detyrohen për vetizolim pavarësisht nga shtetësia e tyre.

Ky vendim i Kroacisë sipas mbrojtjes civile është marrë pas rekomandimeve nga Instituti i Shëndetit Publik në Kroaci, dhe në bazë të mendimeve të epidemiologëve duke marrë për bazë situatën aktuale në vendet fqinje të Kroacisë, për shkak të rritjes së numrit të madh me raste të reja me COVID-19.

Në fund të majit, Kroacia hapi kufijtë e saj me dhjetë vende të BE-së, përfshirë Gjermaninë, Austrinë dhe disa vende tjera anëtare të BE-së, ndërsa me 1 korrik pritet të bëhet hapja e plotë e kufijve, kjo duke marrë parasysh që Kroaci njihet si destinacion turistik i shumë vendeve të Evropës.

Vendi kishte regjistruar pak ose aspak infeksione që nga mesi i majit, por situata u përkeqësua javën e kaluar, kur Kroacia filloi të raportojë deri në 30 raste të reja COVID-19 në ditë.

Kritika të shumta kishte edhe pas organizimit të një turneu  ndërkombëtar të bamirësisë së tenisit, nga Adria Tour, organizuar në qytetin bregdetar të Zarës më 20 qershor, nga ky turnir u konfirmuan me COVID-19 disa pjesëmarrës.

Ndërsa edhe rritja e rasteve të reja erdhi si rezultate i rasteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja që kishin udhëtuar për në Kroaci.