
Ilustrim: Unsplash.com/Taylor Flowe
Kosova sheh rritje të vetëlëndimit të nxënësve ndërsa psikologët në shkolla mungojnë
Rastet e vetëlëndimit në shkolla fillore të mesme të ulëta dhe shkolla të mesme të larta në Kosovë janë duke u rritur përderisa psikologët në shkolla mund të punësohen vetëm nëse shkolla i ka mbi 1000 nxënës, duke u bazuar në një Udhëzim Administrativ të Ministrisë së Arsimit.
Një drejtor shkolle në një fshat të Kamenicës i raportoi në Polici tetë nxënës se provuan ta lëndojnë veten dhe njëri-tjetrin para fillimit të mësimit, më 11.10.2024, të ndikuar nga një ‘sfidë’ në TikTok.
Policia tha për BIRN se nuk kishte ndonjë vepër penale të lëndimit trupor nga nxënësit në Kamenicë, kështu që prokurori e ka regjistruar rastin në një shkrim zyrtar.
Ky rast në Kamenicë nuk është i izoluar. Ngjarje të ngjajshme të vetëlëndimit, në mbarë Kosovën, bazuar në ‘sfidat’ e TikTok janë identifikuar katër ditë para atyre në Kamenicë.
Drejtoresha e Arsimit në Gjakovë, Eranda Kumnova-Baçi më 07.10.2024 i raportoi në Polici tri raste të vetëlëndimit të kryera nga tre nxënës bazuar në një tjetër ‘sfidë’ në TikTok.
Policia dhe Prokuroria Themelore e Gjakovës janë duke i hetuar rastet si vepër penale – shtytje në vetëvrasje.
Më 09.10.2024, Kumnova-Baçi tha për BIRN se “numri i rasteve të konfirmuara [të vetëlëndimit] është 19.” Të gjitha viktimat janë vajza.
Sipas Policisë së Kosovës, deri në fund të datës 08.10.2024, janë gjetur edhe dhjetë nxënës të tjerë që e kishin lënduar veten në Gjakovë. Policia tha për BIRN më 09.10.2024 se “gjashtë nxënës më shumë dyshohet se e kanë lënduar veten në periudha të ndryshme kohore”.
Këto rastet tjera u identifikuan vetëm pasi Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjakovë inicoi një inspektim të kryer nga drejtori i shkollës, psikologu dhe kujdestari i klasës.
Sipas drejtorit të Arsimit në Kamenicë, Afrim Dervishi, nuk ka psikolog në shkollën ku tetë nxënës provuan ta lëndojnë vetën dhe njëri-tjetrin. Në Gjakovë, sipas Kumnova-Baçit, janë 16 psikologë në shkolla që punojnë me 14,420 nxënës në të gjithë komunën.
Sipas një udhëzimi administrativ të vitit 2013 të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës (MASHTI), psikologët në shkolla në Kosovë duhet të jenë përgjegjës për mbi 1,000 nxënës. Kjo do të thotë se psikologët shpesh duhet të punojnë në më shumë se një shkollë në mënyrë që të arrijnë numrin e kërkuar të nxënësve, 1000, dhe mund të mos jenë në gjendje të merren në kohë me ata nxënës që kanë nevojë për vëmendje të menjëhershme.
Kaltrina Skoro, një psikologe shkollore me bazë në Prizren tha për BIRN se viti i saj i parë ishte shumë sfidues, sepse ajo duhej “të ‘promovonte’ rolin e psikologut, jo vetëm te komuniteti i nxënësve, por gjithashtu edhe te i gjithë stafi i shkollës.” Çdo vit, kur nxënës të rinj të klasës së dhjetë regjistrohen në shkollën e mesme të mjekësisë në Prizren, Skoro kryen vizita në klasë, në javën e dytë të shkollës, për t’u prezantuar.
Megjithatë, për shumë psikologë shkollorë, të qenit përgjegjës për mbi 1,000 nxënës në të njëjtën kohë dhe shpesh në më shumë se një shkollë nuk të jep kohë të përqendrohesh, ndihmosh dhe të parandalosh lëndimet e nxënësve siç duhet.
Psikologët që ‘udhëtojnë’
Ngjarje të ngjajshme të vetëlëndimit bazuar në ‘sfida’ në TikTok janë identifikuar në të gjithë vendin. Shumë herë, shkollat nuk kishin psikologët e tyre.
Për Skoron, roli i saj si psikologe shkollore do të thotë “të punosh më shumë në parandalim sesa në trajtim.” Ajo tha se psikologët shkollorë janë të pranishëm kryesisht që të shërbejnë si këshilltarë, që do të thotë se ata “merren me çrregullime të ndryshme që lidhen kryesisht me pjesët e të mësuarit.”
Megjithatë, kjo qasje në Kosovë ka pengesat e veta sepse, siç e shpjegoi Skoro “nëse duhet t’i ndërroni dy deri në tri shkolla për pesë ditë në javë, në minimum mund të qëndrosh në dy shkolla nga dy ditë dhe në një shkollë një ditë, kjo logjikisht do të thotë se ti nuk je aty dhe nuk mund t’i përcjellësh dinamikat e shkollës, ndoshta në momentin e duhur kur një nxënës ka nevojë urgjente për ta marrë një shërbim.”
Në fund të muajit maj, 2024, raste të ngjajshme ka pasur në Lipjan, Fushë Kosovë, Ferizaj dhe Rahovec ku më shumë se 20 nxënës, shumica prej tyre vajza, janë vetëlënduar.
Drejtori i Arsimit në Rahovec, Avni Morina, tha për BIRN se “rreth pesë muaj më parë prindërit vunë re se vajza e tyre tentoi ta lëndonte vetën fizikisht. Ajo nuk kishte ndonjë shenjë [të lëndimit], por prindërit e saj thanë se ajo tentoi [ta lëndonte vetën], pastaj ne intervenuam me ndihmën e drejtorit të shkollës dhe psikologu që është i punësuar atje, ndihmoi”.
Në Ferizaj, një psikolog shkollor ndihmoi në trajtimin e tre nxënësve që lënduan veten e tyre bazuar në të njëjtën ‘sfidë’ në TikTok, në muajin maj 2024, sipas drejtorit të Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani.
“Gjëja më e mirë këtu është se Policia bashkëpunoi shumë shpejt me ne dhe me shkollën,” shpjegoi Llabjani. Kjo shkollë ka psikologun e saj, prandaj administrata e shkollës mundi ta adresojë rastin më shpejt.
Megjithatë, jo të gjitha shkollat anembanë Kosovës mund të veprojnë kaq shpejt. Një udhëzim administrativ i vitit 2013 i MASHTI-t i obligon shkollat fillore të mesme të ulëta dhe shkollat e mesme të larta të kenë psikologë vetëm nëse i kanë mbi 1000 nxënës. Avni Fetahu, drejtori i Arsimit në Podujevë, tha për BIRN se në muajin shtator të vitit të kaluar, një psikolog shkollor u dërgua në një shkollë në Podujevë për ta trajtuar një rast ku një nxënëse kishte lënduar vetën. Shkolla, e cila ka më pak se 500 nxënës nuk ka psikologun e saj.
“Një shërbyes profesional punësohet në institucionin edukativo-arsimor nëse institucioni ka mbi 1000 nxënës/fëmijë. Shërbyesit profesionalë, mund të punësohen edhe në disa institucione edukative-arsimore, të cilat bashkë e arrijnë numrin mbi 1000 nxënës/fëmijë”, thuhet në udhëzimin administrativ të MASHTI-t.
Skoro ofron shërbime psikologjike për rreth 1,500 nxënës në shkollën e mesme të mjekësisë “Luciano Motroni”, në Prizren. Edhe pse 1,500 nxënës është një përgjegjësi e madhe, Skoro është me fat në krahasim me disa nga kolegët e saj. Kur numri minimal prej 1,000 nxënësve nuk arrihet brenda një shkolle, psikologëve shkollorë mund t’u duhet ta menaxhojnë kohën dhe shërbimin e tyre për tri deri në katër shkolla fillore të mesme të ulëta dhe shkolla të mesme të larta.
Fetahu nga Komuna e Podujevës, e cila ka gjithsej 14,200 nxënës dhe vetëm 9 psikologë shkollorë, beson se “udhëzimi administrativ duhet të ndryshohet sepse parasheh një numër të madh të nxënësve” për secilin psikolog sipas standardit aktual.
1 mijë nxënës 1 psikolog
Ministria e Arsimit tha për BIRN se që nga fillimi i muajit tetor, 2024, gjithsej janë të punësuar 161 psikologë shkollorë në të gjithë vendin, bazuar në raportimet e komunave.
“Roli i pedagogëve dhe psikologëve në shkolla është shumë i rëndësishëm. Prania e tyre në institucione shkollore është në funksion të edukimit por edhe tejkalimit të vështirësive për secilin fëmijë. Si Ministri e Arsimit kemi ndarë buxhetin për më shumë se 500 pozita për psikologë dhe pedagogë. Punësimi i tyre është kompetencë e komunave megjithatë, këto pozita janë bllokuar nga vet komunat edhepse buxheti është i paraparë,” deklaroi Ministria.
Megjithatë, drejtorët e Drejtorive të Arsimit nga 13 komuna në Kosovë thanë për BIRN se komunat nuk kanë gjithmonë mjete financiare për të punësuar psikologë për shkolla. Edhe nëse kanë, udhëzimi ua ndalon t’i plotësojnë nevojat reale të shkollave.
Kryeqyteti, Prishtina, ka numrin më të madh të psikologëve shkollorë, 37, sipas Jehona Lushaku-Sadriut, drejtoreshës së Arsimit në Prishtinë. Dhjetë nga psikologët shkollorë mbulojnë nga dy shkolla secili.
Numri më i vogël i psikologëve shkollorë, katër, është në Deçan dhe Skenderaj, sipas drejtorëve të Drejtorive të Arsimit në këto komuna – Besnik Hulaj dhe Kastriot Duraku.
Në Deçan, “secila [psikologe shkollore] i ka nga pesë shkolla [për të punuar] për mbulu deri në 900 nxënësa” për gjithsej, rreth 4,500 nxënës, shpjegoi Hulaj.
Në Skenderaj, me gjithsej 8,150 nxënës, janë dy pozita të lira për psikologë shkollorë, por sipas Durakut, ka mungesë të psikologëve shkollorë të kualifikuarë, duke vështirësuar plotësimin e pozitave.
Rasim Hasani, drejtor i Arsimit në Lipjan tha për BIRN se atje janë rreth 11,000 nxënës dhe vetëm pesë psikologë shkollorë.
Edhe pse ka më pak se gjysmën e numrit të nxënësve në Podujevë, komuna e Vitisë ka gjithashtu nëntë psikologë shkollorë, sipas Arta Ajetit, drejtoreshës së Arsimit në këtë komunë. Ajo tha për BIRN se atje janë rreth 6,500 nxënës.
Një nga rastet e pakta ku një shkollë ka dy psikologë është shkolla fillore e mesme e ulët “Gjon Serreçi” në Ferizaj, me rreth 2,300 nxënës. Drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani tha për BIRN se shkolla ka “nxënës me nevoja të veçanta, ata kanë disa klasë të bashkangjitura kështu që kemi nevojë për më shumë [psikologë] atje.”
Gjithsej, në Ferizaj janë 21 psikologë shkollorë me mbi 22,000 nxënës dhe disa nga psikologët shkollorë punojnë në tri shkolla për të plotësuar numrin e kërkuar prej 1,000 nxënësish.
Katër psikologë shkollorë shtesë do të rekrutohen në Prizren, sipas Luljeta Veselaj-Gutaj, drejtoreshë e Arsimit në Prizren, ku aktualisht 16 psikologë shkollorë mbulojnë 24,000 nxënës. Gjakova ka të njëjtin numër psikologësh shkollorë, por më pak nxënës.
Skoro, psikologia shkollore nga Prizreni beson se psikologët shkollorë duhet të jenë shumë proaktivë dhe të pranishëm në aktivitetin e shkollës për të “larguar disa pjesë të stigmës dhe paragjykimeve,” rreth shëndetit mendor. Ajo beson se roli i një psikologu është më shumë sesa thjesht t’i këshillojë ata që kanë çrregullime të shëndetit mendor, dhe mendon se psikologët mund të jenë një burim i dobishëm për nxënësit dhe stafin (shkollorë) për t’u konsultuar për ndihmë me probleme e përditshme.
Artikulli fillimisht është publikuar në PrishtinaInsight.