
Ilustrim: Kufiri Kosovë- Maqedoni e Veriut
Kontrolli i përbashkët kufitar Kosovë-Maqedoni e Veriut nis në mesin e muajit prill
Regjimi i ri kufitar në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut do të operacionalizohet në mesin e muajit prill 2025. Kështu ka njoftuar Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup, më 31.03.2025.
Sipas njoftimit, prolongimi disa ditor është bërë me qëllim të përgatitjeve finale teknike e logjistike të ekipeve të cilat janë duke punuar intenzivisht në zbatimin e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme ndërshtetërore.
“Rikujtojmë se regjimi i ri kufitar do të jetë sipas modelit ‘hyrje-hyrje’ ku kontrollat do të realizohen vetëm në hyrje nga policia respektive e shtetit kurse policët do të punojnë në një objekt të përbashkët. Zbatimi i saj do të jetësohet paralelisht në pikat kufitare Hani i Elezit/Bllacë dhe Glloboqicë/Jazhincë”- thuhet në njoftim.
Tutje është bërë e ditur se ky model pritet që të zvogëloj pritjet dhe është në funksion të lehtësimit të qarkullimit të qytetarëve të dy shteteve të cilët qarkullojnë çdo herë e më shumë në dy drejtimet.
Në muajin shkurt, ministrat e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, Pançe Toshkovski dhe Xhelal Sveçla, inspektuan punimet në pikën kufitare “Bllacë” për të parë realizimin e projektit “One Stop Shop”.
MPB: Së shpejti nis kontrolli i përbashkët kufitar Kosovë-Maqedoni e Veriut