PTK - Foto: KALLXO.com

Kontratat e PTK-së me njerëz të politikës e medias dërgohen në prokurori

 

Deputetë të Kosovës kanë vendosur sot që provat e mbledhura të cilat pretendojnë se  PTK-ja dhe Telekomi kanë lidhur kontrata të qirasë me njerëz të politikë e po ashtu pagesa për donacione e sponzorizime mediale nga kompania të dërgohen në prokurori.

Vendimi është marrë sot në Komisionin Hetimor Parlamentar i cili zyrtarisht sot ka mbyllur punën duke vendosur që raporti nga hetimi i deritanishëm të dërgohet në prokurori.

Kryesuesi i Komisionit, Visar Ymeri tha së Telekomi nuk ka dëshmuar asnjëherë për rendësin dhe funksionin e kontratave, të cilat i quajti të dëmshme dhe për interesa të caktuara.

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli tha së nga gjetjet është kuptuar së ndërmarrja publike ka ardhur në këtë gjendje për shkak të bordit dhe menaxhmentit për të cilat ai thotë së janë shtyrë nga zyrtarë politikë.

“Ka kryerës të krimit por edhe ndihmës të krimit po në këtë raport shumë pak përmendën bashkëkryerësit e krimit e qe janë politika. Zanafilla fillon me qeverinë Thaçi 1 dhe me qeveritë tjera dhe kemi ardhur në këtë gjendje qe kemi procedura ligjore dhe shpenzime qindra milionëshe”, tha ai.

Ndërkaq, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu propozoi që raporti i punës së deritanishëm nga ky komision të dërgohet në Prokurorinë e Shtetit.

Po ashtu, edhe deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha së të gjitha procesverbalet dhe transkriptat e bëra nga seancat në vazhdimi të i dërgohen Prokurorisë.

Ai përmendi mes tjerash edhe disa nga gjetjet në të cilat shihet keqpërdorimi.

“Qiratë e objekteve janë dhënë për të u shfrytëzuar për interesa personale, të cilat janë dhënë për njerëzit e afërt qeveritar, po ashtu ka edhe manipulim në grada. Keqpërdorimi shihet në donacionet dhe sponsorimet, janë 38-39 milion qe janë dhënë vetëm to, shihet qartë nga lista janë emra qe qëndrojnë mirë financiarisht”, tha Zemaj.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për seancat e mbajtuara të këtij komisioni.

Komisioni Hetimor Parlamentar për gjendjen në PTK dhe Vala ishte formuar më 19 mars pas raportimeve në media në atë kohë për punësimet partiake dhe familjare në këto ndërmarrje publike.

Kuvendi i Kosovës nesër më 22 gusht pritet që të shpërbëhet, pas një muaj kur Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit.