Konjufca: Me kryetarin e Bundestagut diskutuan rreth zhvillimeve historike e politike për Kosovë e rajon

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, gjatë ditë së sotme ka takuar kryetarin e Bundestagut Wolfgang Schauble.

Ai tha se në këtë takim e ka falënderuar kryetarin për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për Kosovën.

“Sot bashkë me shefin e stafit Ilir Kërçeli, ambasadorin Beqë Cufaj dhe diplomaten Valëza Oruqi pata nderin ta takoj Dr. Wolfgang Schauble kryetarin e Bundestagut. Në takimin e përzemërt me Dr. Schauble ju falënderova për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për Kosovën”, ka shkruar në rrjetin social Facebook, Konjufca.

Ai tha se diskutuan gjatë rreth zhvillimeve historike e politike për Kosovë dhe rajon, si dhe për sfidat që paraqiten në rrugëtimin e stabilizimit të rajonit, luftimin e pandemisë, rimëkëmbjen ekonomike dhe dialogun me Serbinë, si dhe finalizimin e procesit të liberalizimit të vizave.

“Bundestagu dhe institucionet gjermane qëndrojnë fuqishëm pranë dhe me popullin e Kosovës”, përfundoi ai.