Konfirmon IPK: Kadeti policor u arrestua për dhunim

Një kadet policor është arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës nën dyshimin se i njëjti ka kryer  veprën penale të dhunimit. 

Pas një kërkese të KALLXO.com, IPK ka konfirmuar rastin duke thënë se janë njoftuar nga policia lidhur me këtë rast ndërsa menjëherë ekipi i hetuesve është drejtuar për në stacionin policor në Lipjan dhe kanë ndërmarrë veprimet fillestare hetimore. 

Në lidhje me rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar i shtetit.

“Pas  prezantimit të gjetjeve të hetimit deri në atë fazë të hetimit, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar të dyshuarin (kadetin policor), për të cilin Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim për caktimin e masës së ndalimit për 48 orë me dyshimin e kryerjes se veprës penale dhunim”- ka thënë Inspektorati Policor i Kosovës për KALLXO.com. 

Si pjesë e procedurës, IPK ka thënë se është njoftuar edhe Akademia e Kosovës për Siguri Publike dhe Policia e Kosovës. 

Një vajzë e mitur mbrëmë pasi ishte zhdukur nga 30.06.2024, është paraqitur në stacion policor dhe ka raportuar se është dhunuar nga një person i cili siç mësoi KALLXO.com është një kadet policor. 

Tutje KALLXO.com mëson se babai i cili kishte raportuar zhdukjen e vajzës së bashku me këtë të fundit janë paraqitur në polici dhe u intervistuan në prezencë të zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale. 

Babai kishte raportuar vajzën e tij se ka dalë nga shtëpia dhe nuk ishte kthyer më. 

Ndonëse në raportin policor të cilin e ka dërguar policia sot (02.07.2024) nuk jepen detaje për ngjarjen që u zhvillua mbrëmë pasi ishte paraqitur viktima në stacion policor. 

Raporti policor tregon vetëm për raportimin e prindit dhe inicimin e rastit si person i zhdukur. 

KALLXO.com ka mësuar se i dyshuari, kadeti policor është arrestuar ndërsa vajza e mitur i është nënshtruar edhe disa ekzaminimeve mjekësore.