Komuna e Mitrovicës së Veriut ndan 2 mijë euro për projektin e ditëlindjes së 70-të të piktorit Kadri Kadriu

Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut ka ndarë 2 mijë euro për projektin e ditëlindjes së 70-të të piktorit Kadri Kadriu, 2 mijë euro për projektin “Horizontet e veriut të Kosovës” dhe 2 mijë të tjera për dy motra që ushtrojnë sportin e tenisit.

Ky kuvend , sot më 28.06.2024 ka miratuar kërkesën e qytetares Mirjeta Kadriu për ndarjen e mjeteve financiare për organizimin e 70 vjetorit të lindjes të heroit e artistit Kadri Kadriu.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Nexhat Ulgjanin ka marrë vendimin që t’i ndahen 2 mijë euro edhe pse në kërkesë kërkoheshin 4 mijë euro.

“Me anë të kësaj shkrese kërkoj nga Kuvendi Komunal i Mirovicës Veriore të më mbështetëse me mjete financiare për organizimin e 70 vjetorit të lindjes të heroit e artistit Kadri Kadriu. Të dhënat e detajuara për organizimin janë në projektin e organizuar, faleminderit paraprakisht. Emri i projektit është 70 vjetori i lindjes së heroit e artistit Kadri Kadriu. Shuma e kërkuar të mbështetjes 4 mijë euro”- ishte kërkesa e Kadriut e dëguar në Kuvendin Komunal më 26.06.2024.

Ndërsa qytetari, Shyqri Qeliku kishte kërkuar 12 225 euro për projektin “Horizontet e veriut të Kosovës” teksa Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut ndau vetëm 2,000 euro për këtë projekt.

“Unë qeta për 12 mijë e diçka euro nuk votoj, është shumë e madhe. Shuma që mundet me u nda është 2,000 euro”- ka thënë Ulgjanin.

“Për mbështjetjen e ekonomisë së piktorëve  “Horizontet e veriut të Kosovës”. Shumë totale e realizimit të këtij projekti është 12,225 euro”- thuhej në kërkesën e qytetarit.

Shumën në vlerë prej 2 mijë eurosh, Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut ndan për qytetarin, Veton Vidishiqi i cili ka thënë se nuk ka mundësi t’i dërgoi dy vajzat e tij në turnire sepse të njëjtat ushtrojnë sportin e tenisit.

“Unë Veton Vidishiqi prindi i dy vajzeve sportive. Në këtë rast tenisere. Iu lus të më përkrahni financiarisht. Kërkoj nga ju, nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport të përkrahni financiarisht fëmijët e mi të cilët merren me sport invidual tenis që nga viti 2017 dhe janë duke vazhduar. Unë si prind nuk kam pasur mundësi t’i dërgoj fëmijët e mi në turnire brenda dhe jashtë vendit. Shuma që na kërkojmë është 2 mijë euro. 1 mijë për njërën dhe 1mijë për tjetrën. Do të ishim shumë mirënjohës nëse kërkesa jonë do të merrej parasysh. Kjo nuk është vetëm nga ana individuale por është edhe nga grupi i tenisit Trepça. Janë vërtetimet që janë anëtarë të grup të tenisit Trepça”- thuhet në kërkësën e Vidishiqit.