Klinikë në QKUK - Foto: REL

Kolegjet private duhet të paguajnë për praktikën e studentëve në ShSKUK - DOKUMENT

Institucionet private të Arsimit të Lartë nga ky vit do të duhet të paguajnë për të gjithë studentët që synojnë të mbajnë praktikë klinike dhe ushtrime në Shërbimin Spitalor dhe Klinikën Universitare të Kosovës (ShSKUK).

E kjo është bërë me një rregullore të miratuar nga Bordi Drejtues i ShSKUK-së me 8 tetor të këtij viti.

Në rregulloren e siguruar nga KALLXO.com, thuhet se ajo është bërë për qëllim që të përcaktojë formën dhe procedurën për realizimin e praktikës klinike dhe ushtrimeve në njësitë përbërëse të SHSKUK-së për institucionet private të Arsimit të Lartë të cilat janë licencuar dhe akredituar sipas ligjit.

Në nenin 7  të kësaj rregullore thuhet se për t’u mbajtur praktika klinike dhe ushtrimet në SHSKUK, së pari kolegjet private duhet të lidhin marrëveshje, pastaj numri i studentëve që do të kryejnë praktikë dhe ushtrime do të përcaktohet me vendim përkatës të Agjencionit Kosovar për Akreditim.

Gjithashtu në këtë nen është theksuar se praktika klinike dhe ushtrimet në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar organizohen pas përfundimit të orarit të rregullt të punës në spitale dhe mund të organizohen çdo ditë duke filluar nga ora 15:00 deri në ora 20:00.

Në vazhdim, neni 9 ka përcaktuar kushtet e veçanta për realizimin e praktikes dhe ushtrimeve në këtë institucion dhe çmimet që institucionet duhet t’i paguajnë për drejtimet.

Në paragrafin 5 të këtij neni thuhet se “për studentët e drejtimit të infermierisë, mami, fizioterapi, logopedi, laborant, psikologji dhe radiologji të cilët kryejnë praktikë klinike në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Institucioni Privat i Arsimit të Lartë duhet t’i paguajë SHSKUK-së shumën prej 150 euro për një student, për një vit akademik”.

Kurse, paragrafi 6 i nenit 9 të kësaj rregullore ka përcaktuar shumën për studentët e drejtimit të stomatologjisë.

“Për studentët e drejtimit stomatologji të cilët kryejnë ushtrime dhe praktikë në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Institucioni Privat i Arsimit të Lartë duhet t’i paguaje SHSKUK-së shumën prej 1500 euro për një student, për një vit akademik”, thuhet aty.

Paragrafi 7 i po këtij neni thotë se për studentët e drejtimit të farmacisë të cilët kryejnë ushtrime dhe praktikë në SHSKUK, kolegji privat duhet të paguajë shumën prej 400 eurosh për një student, për një vit akademik.

Në fund paragrafi 8 i këtij neni thotë se pagesa duhet të realizohet para fillimit të mbajtjes së praktikës klinike, përkatësisht ushtrimeve.

Tutje në nenin 12 thuhet se “dispozitat e kësaj rregullore shfuqizojnë çdo marrëveshje të lidhur para miratimit të kësaj rregullore dhe çdo marrëveshje tjetër në kundërshtim me këtë rregullore.

Kjo rregullore hyn në fuqi 30 ditë pas miratimit nga ana e Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.

Në një përgjigje SHSKUK-ja për KALLXO.com ka sqaruar praktikën e derimëtanishme të  angazhimit të studentëve për praktikë dhe ushtrime në këtë institucion.

“Para aprovimit të kësaj rregullore nga ana e Bordit Drejtues të SHSKUK-së, praktika klinike dhe ushtrimet në SHSKUK janë realizuar në bazë të marrëveshjeve të bashkëpunimit në mes të SHSKUK-së dhe institucionit privat të arsimit të lartë përkatës, marrëveshje këto të cilat nuk përbënin një formë të njëjtë të organizimit të praktikës klinike dhe ushtrimeve”, thuhet në përgjigjen e tyre.

SHSKUK ka sqaruar edhe arsyet pse kanë marrë një vendim të tillë për këtë rregullore.

“Marrëveshjet po ashtu nuk parashihnin një formë unike të angazhimit të stafit për mentorim dhe realizimi i praktikës sipas këtyre marrëveshjeve nuk ishte i harmonizuar me planin  e punës së njësive dhe klinikave në SHSKUK, njëkohësisht këto janë edhe arsyet e nxjerrjes së një akti nënligjori i  cili rregullon dhe institucionalizon po ashtu edhe kontrollon mënyrën dhe formën e mbajtjes së praktikës klinike dhe ushtrimeve për studentët e institucioneve private të arsimit të lartë në Republikën e Kosovës”, thuhet tutje.

Kurse sa i përket institucioneve të arsimit të lartë publik ata kanë thënë se kjo çështje vendoset sipas ligjeve në fuqi të Kosovës.

“Sipas statutit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, veprimtaria arsimore në njësitë organizative të QKUK-së realizohet nga Katedrat e Fakultetit të Mjekësisë, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Po ashtu sipas Ligjit Nr. 04/L-037 PËR ARSIMIN E LARTË NË REPUBLIKEN E KOSOVËS, institucionet private të Arsimit të Lartë (bartësit privat) të cilët nuk janë pranues të fondeve publike vendosin vetë për tarifat e studimeve. Andaj, duke u mbështetur në arsyet e lartcekura, ne nuk kemi mundësi ligjore që t’i kërkojmë institucioneve publike të paguajnë për realizimin e veprimtarisë arsimore për studentët e tyre përderisa për tarifat e studimeve të tyre vendosin Institucionet Qeveritare”, thotë SHSKUK.

Ata kanë theksuar se në bazë të dispozitave të Rregullores së brendshme për realizimin e praktikës klinike dhe ushtrimeve në SHSKUK, nuk kërkohet pagesë nga studentët e institucioneve private të arsimit të lartë për mbajtjen e praktikës apo ushtrimeve.

“SHSKUK kërkon pagesën nga Institucioni privat i Arsimit të Lartë si kompensim për shpenzimet e krijuara gjatë realizimit të praktikës dhe ushtrimeve dhe kërkon pagesën për mentorët klinik sipas angazhimit të tyre  dhe në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi. Po ashtu dispozitat e rregullores së miratuar në fjalë, bashkëpunimi me SHSKUK-në i takon krejtësisht vullnetit të palëve”, ka bërë të ditur për KALLXO.com, SHSKUK.

 

Më poshtë mund ta shihni rregulloren e plotë të siguruara nga KALLXO.com: