Foto: REL/MIA

Hyn në fuqi Ligji për Pandeminë në Kosovë, këto janë gjobat në rast të mosrespektimit të tij

Ka hyrë në fuqi Ligji për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Kosovës.

Artan Murati, këshilltar i kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se ligji dje (e martë) është publikuar në Gazetën Zyrtare dhe rrjedhinisht ka hyrë në fuqi.

Ky ligj ishte inicuar që nga muaji prill nga kryeparlamentarja Osmani, ndërsa është miratuar në Kuvendin e Kosovës këtë muaj.

Ligji në fjalë përcakton mes tjerash, masat e sigurisë, kontrollet, karantimin e gjobat për qytetarët të cilët shkelin masat. Ligjin mund ta lexoni në këtë LINK.

Sipas nenit 24 të këtij ligji, personi juridik i cili nuk e respekton vendimin e Organit kompetent për kufizimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve në kohën e caktuar, dënohen me gjobë prej 500 euro.

Gjithashtu, personat fizik të cilët nuk respektojnë vendimin për mbajtjen e maskës, dënohetn me gjobë prej 35 euro, si dhe për mosrespektim të distancës fizike, gjoba është 35 euro.

Ndërkaq, Asociacioni i Komunave të Kosovës ka theksuar se me miratimin e këtij ligji, një pjesë e përgjegjësive për implementimin e këtij ligji bie edhe mbi komunat.

Sipas tyre, dispozitat ligjore të këtij ligji me saktësisht neni 15 i këtij ligji tregon për bashkëpunimin në mes nivelit lokal dhe institucioneve qendrore:

  1. Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK obligohen të informojnë, rregullisht nivelin komunal për masat parandaluese dhe situatën me pandeminë Covid-19.
  2. Çdo Komunë e Republikës së Kosovës informohet me strategjinë, masat parandaluese të miratuara nga IKSHPK dhe MSH, si dhe për personat e testuar, raste negative dhe pozitive, rastet e dyshuara, rastet e kontaktit dhe personat e shëruar në territorin e komunës të përcaktuara sipas ligjit për vetëqeverisje lokale.
  3. Niveli lokal është i obliguar të zbatojë strategjinë, masat për parandalim, menaxhim dhe kontroll të pandemisë COVID-19 si dhe të mbështes nivelin qendror, institucionet shëndetësore dhe punonjësitë shëndetësorë për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin të Covid-19.
  4. Qeveria e Kosovës me vendim themelon Komitetin për Koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë Covid-19 dhe obligon komunat që të themelojnë nën komitete komunale me qëllim të parandalimit dhe luftimit të pandemisë.
  5. Qeveria e Kosovës obligohet që të mbështesë komunat me masat mbrojtëse dhe mjete financiare në betejën kundër pandemisë Covid-19.
  6. Bazuar në strategjinë, protokollet e miratuara për parandalim, menaxhim dhe kontroll të pandemisë Covid-19, komunat e Kosovës janë të obliguara që të përgatisin plan-veprimin për identifikimin dhe trajtim të pacientëve me Covid-19, duke siguruar medikamentet dhe bazën materiale të nevojshme.

Kurse neni 23 – Organet kompetente për shqiptimin e e masave ndëshkimore janë si më poshtë

  1. Masat ndëshkimore të përcaktuara me këtë ligj shqiptohen nga Policia e Kosovës, Inspektorati shëndetësor, inspektorati farmaceutik, inspektorati sanitar dhe INSPEKTORATET KOMUNALE.
  2. Mjetet financiare të mbledhura nga masat ndëshkimore derdhen në buxhetin e Republikës së Kosovës.
  3. Kushtet për shqiptimin e gjobave, afateve, procedurat, ankesat dhe çdo çështje tjetër që nuk është përcaktuar me këtë ligj, zbatohen dispozitat e legjislacionit për kundërvajtje.

Poashtu me këtë Ligj, Neni 24 parasheh Lëvizjet në oraret e përcaktuara dhe ndëshkimet si edhe tek nenet (25) -Aktivitetet e caktuara në mjedise private dhe publike dhe (26) Izolimi dhe Karantina.