
Kandidatja e PDK-së Blerta Deliu- Kodra. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
"Këtë javë mbetet me u pa" - Deliu-Kodra flet për bisedimet për koalicionet e mundshme
Blerta Deliu-Kodra nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila ka marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë Deputete edhe në këtë legjislaturë të Kuvendit të Kosovës, tha se po presin gjatë kësaj jave nëse do të ketë diçka të re rreth koalicioneve, pas certifikimit të rezultateve të Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025.
“Jo, për besë nuk ka diçka. Jo, jo asgjë nuk ka. Ka qenë festë e pushim. Tash kjo javë mbetet me u pa.” – tha ajo për KALLXO.com, kur u pyet nëse ka ndonjë avancim në bisedimet me partitë opozitare.
Njëjtë ajo u përgjigj edhe kur u pyet në lidhje me mundësinë për bisedime me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).
“Jo, nuk ka pasë asnjë të re në lidhje me Vetëvendosjen.” – shtoi ajo.
Një ditë pas certifikimit të Zgjedhjeve, më 28.03.2025, kandidati për Kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza kishte deklaruar se nuk ka vija të kuqe për asnjë parti politike dhe asnjë politikan në Kosovë.
Ai tha se kanë pasur komunikim me LDK-në dhe AAK-në për mundësinë e bashkëpunimin. Ndërsa, me LVV-në ai tha se nuk kanë arritur të takohen – duke shtuar se me ta nuk kanë ende komunikim zyrtar dhe nuk kanë pasur ftesë e nuk i kanë dërguar ftesë.
“Vijat e kuqe nuk është që i preferoj. Jemi në biseda. Asnjë barrierë për asnjë parti politike, ose asnjë politikan nga ana ime, nuk ekziston. Jam i gatshëm me të gjithë me bisedu. Jemi në biseda edhe me LDK-në, edhe me AAK-në, Nismën, edhe subjektet e tjera. Nuk kemi mbërri në atë fazën ku qysh duhet me u duk formula e Qeverisë, por jemi tu diskutu. Nuk kemi mbërri në fazën e bisedave për ndarjen e posteve në Qeveri.” – tha ai në një Konferencë për media.
Ai tha se me LDK-në nuk është ende në atë fazë për ndarjen e posteve në Qeveri. Hamza tha se Kosovës nuk i duhet vakumi institucional. “Nuk e kemi komoditetin.” – tha ai.
Edhe pse janë certifikuar Zgjedhjet kryeministri Albin Kurti nuk ka pranuar të japë përgjigje se si do të arrijë t’i bëjë 61 deputetë për ta formuar Qeverinë dhe nëse ka nisur bisedimet për koalicion paszgjedhor -ashtu siç kishte thënë.
Një ditë pas certifikimit, KALLXO.com provoi ta marrë një përgjigje nga ai pas ceremonisë së certifikimit të rekrutëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ferizaj, por ai iku pa asnjë përgjigje.
Në lidhje me bisedimet për koalicione, Kurti kishte thënë vetë se do të përgjigjet pas certifikimit të Zgjedhjeve.
Më 10.03.2025 ishte shprehur i bindur se Qeveria e ardhshme do të udhëhiqet nga ai dhe partia e tij.
“Së pari rezultatet përfundimtare, pastaj certifikimi, pastaj bisedimet, pastaj Qeveria e udhëhequr nga Vetëvendosje dhe unë.” – ka thënë Kurti kur u pyet nga KALLXO.com se cilat janë kushtet për të bërë Marrëveshje me partitë e komuniteteve.
Në anën tjetër, brenda LVV-së ka pretendime se Nisma Socialdemokrate do t’i japë votat për krijimin e Qeverisë Kurti 3, pa kurrfarë kushti.
Mirëpo, ndryshe e shpjegojnë këtë në partinë që drejtohet nga Fatmir Limaj. Në Nismë mohojnë të kenë pranuar ndonjë ftesë nga LVV-ja për të biseduar rreth formimit të Qeverisë.
Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, Fatmir Matoshi, kandidat për Deputet nga NISMA në Zgjedhjet e 9 shkurtit dhe ish-Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
“Nuk kemi kërkesa, sepse nuk jemi duke e bërë ne Qeverinë, por është Vetëvendosja nëse dëshiron ta bëjë. I takon VV-së me u mendu dhe me vendos nëse do ta bëjë Qeverinë. Nëse do, duhet me i çu ftesat, e mandej duhet me i trajtu. Ata nuk munden pafundësisht me u sjellë papërgjegjshëm me rezultatin e tyre që e kanë marrë.” – ka deklaruar Matoshi.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani nuk ka dhënë një datë se kur pritet të thirret seanca konstitutive e Kuvendit të Kosovës, mirëpo tha se “shumë shpejt” dhe brenda afatit kushtetues.
“Për momentin ekipa ime ligjore është duke analizuar se sa mund të ketë nevojë për kohë për përgatitjen e kësaj seance, në mënyrë që kur të thirret seanca edhe të jetë e suksesshme. Pra, të jetë i suksesshëm konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Githçka do të bëhet brenda afatit kushtetues. Për momentin nuk mund t’ju japë një datë, sepse dua të jem e saktë. Por, shumë shpejt do ta kemi datën.” – deklaroi ajo për media.
Certifikimi i rezultatit të Zgjedhjeve hap rrugën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe zgjedhjes së Qeverisë së re.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Neni 66 i saj parasheh që seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës të mbahet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve të Zgjedhjeve.
Paragrafi i Tretë i këtij Neni parasheh që seanca të thirret nga kreu i shtetit. Nëse presidentja Vjosa Osmani nuk vepron brenda këtij afati, Kuvendi i ri mblidhet vetë në ditën e 30-të.
“Presidenti i Republikës së Kosovës e thërret seancën e parë të Kuvendit. Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës nuk është në gjendje të thërrasë seancën e parë, Kuvendi mblidhet pa pjesëmarrjen e Presidentit.” – thuhet në Pikën 3 të Nenit 66 të Kushtetutës.
Në bazë të rezultateve të Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 posti i Kryetarit të Kuvendit i takon LVV-së.
Sipas këtij rezultati Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 42.30% të votave, duke i siguruar 48 deputetët në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave apo 24 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës me 18.27% apo 20 deputetë dhe koalicioni AAK-NISMA 7.06% apo 8 deputetë.