Foto: KPK

Këshilli Prokurorial merr disa vendime

Këshilli Prokurorial i Kosovës gjatë ditës së sotme ka mbajtur online takimin e 203-të me radhë.

Nën udhëheqjen e kryesuesit Jetish Maloku, takimi ka filluar me raportimet e punës për gjashtëmujorin e parë të vitit 2021 nga Komisioni Mbikëqyrës për Zbatimin e Planit Strategjik dhe Planit të Veprimit për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike, Koordinatori Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik dhe kryetarët e komisioneve të përhershme të Këshillit Prokurorial të Kosovës raporte të cilat edhe janë miratuar nga anëtarët e KPK-së.

Tutje, takimi vazhdoi me raportimet e kryeprokurorëve të prokurorive të Kosovës për periudhën prill-qershor 2021.

Një vendim tjetër i cili u mor në këtë mbledhje  ishte edhe dërgimi i propozimeve në Zyrën e Presidentit të Republikës së Kosovës për lirimin e 2 prokurorëve të shtetit nga detyra, të cilët do të arrijnë moshën e pensionimit gjatë muajit tetor 2021.

Në fund të këtij takimi është mbajtur edhe seanca dëgjimore disiplinore lidhur me rastin e një prokurori në Prokurorinë e Pejës, ku vendimi përkatës do të bëhet publik siç parashihet me Ligj.