Foto: Pixabay

KESCO njofton për aplikimin e tarifës verore

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), ka njoftuar se nga nesër (01.04.2025) e deri më 30 shtator, tarifa e ulët e rrymës është nga ora 23:00 deri në ora 08:00.

Ndërkaq, tarifa e lartë (ditë) aplikohet prej orës 08:00 – 23:00.

Ky ndryshim vjen pas ndryshimit të orës.

Nga e diela, më 30 mars 2025 ka fillur llogaritja verore e orës. Akrepat e orës janë zhvendosur një orë përpara, pra nga ora 02:00 e mëngjesit, në orën 03:00 të mëngjesit.

Ndërkohë, nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka kohë që paralajmëruar shtrenjtimi i energjisë elektrike për 15% nga muaji prill. Një grup i organizatave të shoqërisë civile ka dorëzuar një deklaratë kundërshtuese ndaj këtij propozimi.

Sipas deklaratës së këtyre organizatave, e publikuar nga organizata ‘Balkan Green Foundation’, zbatimi i një rritjeje prej 15% të tarifave të energjisë elektrike do të rëndojë më tej barrën financiare të familjeve dhe qytetarëve në Kosovë.

Përmes kësaj deklarate, 9 organizatat: Balkan Green Foundation, Lëvizja FOL, Open Daga Kosovo, GERMIN, Kosovo Local Government Institute, The Foundation House, Qendra për raste gjyqësore strategjike, Hajde Foundation dhe Instituti për politike sociale ‘Musine Kokalari’ i kanë bërë thirrje ZRRE-së që të pezullojë rritjen e propozuar të çmimit të energjisë.

Kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike ka dalë edhe presidentja, Vjosa Osmani, ndërsa Ministria e Ekonomisë ka propozuar që rritja e çmimit të mos prekë amvisëritë deri në një vlerë të konsumit të energjisë nga ana e tyre.“Në këtë drejtim, konsiderojmë se është e drejtë që rritja të mos prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kWh dhe të shtohet numri i brezeve (blloqeve) të konsumit për konsumin mbi 800 kWh” – thuhet në komunikatën e Ministrisë së Ekonomisë më 28.03.2025.