Foto: Denis Sllovinja / Kisha-ortodokse-ne-kampusin-e-Universitetit-te-Prishtine

Kërkohet komision ndër-institucional për shënjim të pronave të Universitetit të Prishtinës

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti në Komisionin për Mbikqyrje të Financave Publike ka folur për krijimin e një komisioni për identifikimin e pronave të Universitetit të Prishtinës.

Ai shtoi se do ketë kompensim në rast se marrin persona jashtë stafit të UP-së për të kryer këtë punë.

“Komisioni për identifikim të pronave është formuar nga unë në vitin 2020, qëllimi ka qenë adresimi i gjetjes së auditorit për pronat. Deri tani është punuar në baza vullnetare. Për ta kry punën në formë profesionale kemi dy mundësi me kompani nga jashtë ose me staf të brendshëm. Rreth 10 mijë euro parashihen për personat që do dalin në teren për matje e të tilla. Ende nuk kemi marr një vendim të tillë. Por do vendosim për muajt në vijim”, ka thënë ai.

Kurse, deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami ka kërkuar që për këtë rast të jetë një komision që përfshin edhe institucione tjera, pasi siç u shpreh ajo, UP nuk është titullare e gjithë pronave ku ka objekte.

“Komisioni është për çështje pronësore për zgjidhje të problemeve. Duhet një komision ndër-institucional pasi përfshihen edhe komuna e AKP-ja në prona. Rasti i padisë për kishën është çështje e ndjeshme po ashtu”, ka thënë Bajrami.

Rektori Sahiti tha se për kishën ortodokse në hapësirën e oborrit të UP-së, janë në kontakt që avokati shtetëror të marrë përsipër rastin.

Ende nuk ka ndonjë vendim meritor gjyqësor në lidhje me Kishën ortodokse dhe Universitetit të Prishtinës.

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike e ka shqyrtuar raportin e Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës.

Mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike. 5 korrik 2022, Foto: KALLXO.com