Prizreni. Foto: Atdhe Mulla

Kërcënohet zyrtari që i bëri kallëzim penal Gjergj Dedaj

Drejtori i Ekonomisë dhe Financave në Komunën e Prizrenit, Ertan Simitçi është kërcënuar përmes rrjeteve sociale.

Zëdhënësit i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Hazir Berisha  ka konfirmuar për KALLXO.com se kanë pranuar një ankesë dhe se janë duke mbledhur të gjitha provat materiale.

“Pasi që është bërë publike përmes rrjeteve sociale informacioni se është kërcënuar, ne kemi kontaktuar me drejtorin dhe kemi marr provat materiale prej telefoni të tij dhe në konsultim me prokurorin është hapur rasti për kërcënim. Hetimet për rastin janë duke vazhduar” ka thënë Berisha.

Drejtori i Ekonomisë dhe Financave, Ertan Simitçi për KALLXO.com ka thënë se ky kërcënim ka ardhur pas kallëzimit penal që ai e ka bërë për Gjergj Dedaj ndaj gjuhës së përdorur.

“Dje kam paraqitur rastin në polici për kërcënimin dhe sot kam marrë vesh nga disa portale lokale se Policia në Prizren dhe është duke e hulumtuar rastin. Unë mendoj e ky kërcënim ka ardhë pas kallëzimit penal qe i kam bërë Gjergj Dedajt përmes rrjeteve sociale” ka thënë Simitçi për KALLXO.com

Prokurori, Petrit Kryeziu nga Prokuroria Themelore në Prizren ka thënë se hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.