KEK-u reagon pas raportimit për 'avancime të militantëve të partive në pozita të larta'

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.), ka reaguar pas një publikimi në media se në lidhje me “avancime të militantëve të partive në pozita të larta në KEK”, artikull ky sipas KEK-ut është “është tendencioz dhe si i tillë fund e krye përmban shpifje me të cilat është munduar të dezinformoj publikun me qëllim të dëmtimit të imazhit të KEK-ut dhe zyrtarëve të saj”.

Në reagimin e tyre thuhet se KEK-u pikërisht me qëllim të korrigjimit të lëshimeve të mëhershme që kishin të bënin me emërime  arbitrare, tash e tutje në KEK nuk mund të bëhet asnjë emërim e posaçërisht në pozita menaxheriale pa u plotësuar kushtet e vendit të punës dhe pa iu nënshtruar konkurrencës (konkursit).

“Si rrjedhojë, të gjitha gjoja “avancimet” (që përmend ky portal, e që nuk qëndrojnë) kanë të bëjnë me caktimin e zyrtarëve ne pozita të ushtruesit të detyrës me mandat shumë të limituar në kohë (jo me gjatë se 6 muaj). Gjatë kësaj periudhe do të shpallet konkursi dhe do të bëhet përzgjidhja meritore bazuar në përgatitjen profesionale konform kritereve të konkursit”, thuhet në reagim e KEK-ut.

“Përndryshe, të gjithë zyrtarët që caktohen në pozitat e përkohshme të ushtruesit të detyrës duhet të jenë dhe janë punonjës dhe profesionist shumëvjeçar në profesionet, njësitë dhe departamentet përkatëse, që i plotësojnë kushtet e vendit të punës, gjë që fatkeqësisht nuk ka ndodhur gjithmonë deri më tani, ku me mandat të përhershëm ishin caktuar zyrtar që as për së afërmi nuk i kishin plotësuar kushtet e atij vendi të punës”, vijon njoftimi.

KEK ka paralajmëruar se “menjëherë do të nisim hapat ligjor për eliminimin e dëmeve që i janë shkaktuar korporatës dhe zyrtarëve të saj si pasojë e shpifjeve të qëllimshme që janë lansuar gjatë tre mujorit të fundit nga ky portal[indeksonline]”.