KEK-u pas protestës së banorëve të Shipitullës: Shqetësimet i kemi adresuar tek organet e drejtësisë

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar pas protestës së banorëve të fshatit Shipitullë para këtij institucioni.

Në njoftimin e KEK-ut thuhet se përvetësimi i tokës për nevoja xehetarë bëhet vetëm përmes Planit Kryesor Xehtar dhe legjislacionit në fuqi.

Tutje në njoftim thuhet se sa i përket shqetësimeve të banorëve, KEK-u i ka adresuar ato tek organet e drejtësisë.

“Prandaj, sa i përket përvetësimit të tokave dhe zgjerimit të minierave (për arsye të tjera), që nuk janë në përputhje me Planin Kryesor Xehetar, dhe planet tjera operative, përsëri ju bëjmë te ditur se kjo çështje është përtej kompetencave dhe interesit të KEK sh.a.” – thuhet mes tjerash në njoftimin e KEK-ut.

Banorët e fshatit Shipitullë të Komunës së Obiliqit kanë protestuar më 07.02.2024 para zyreve të Korporatës Energjetike të Kosovës në Prishtinë.

Ata kërkuan takim me zyrtarët e kësaj korporate për të biseduar rreth procesit të shpronësimeve në këtë fshat.

“Dikush nga KEK-u me dal me na tregu pse nuk na janë përgjigjë që një muaj e gjysmë. Prej datës 24 ia kemi bërë kërkesën bordit, hala kurrëfarë përgjigje. Le të jetë o pozitive o negative” – deklaroi Musli Mjeku, banor i Shipitullës.

Banorët kërkuan takim me zyrtarët e KEK-ut, të cilët me protestuesit komunikonin përmes Policisë. Prej tyre i morën edhe emrat e përfaqësuesve se kush do të hynte në takim.

Por, për aq kohë sa protestuesit pritën para zyreve të KEK-ut, askush nuk i priti në takim.

Kjo gjë i frustroi protestuesit. Përfaqësuesi i banorëve të Shipitullës, Arsim Mjeku tha se udhëheqësia e KEK-ut “nuk ka ftyrë me dalë”.

“E dijnë fort mirë se çka kanë bërë në Shipitullë. E dijnë çka është vjedh e si i kanë luajtur vijat. Këtu është deshtë me qenë një prokuror që me na i dëgju hallet e banorëve” – deklaroi Mjeku.

Pakënaqësi me shpronësimet, banorët e Shipitullës protestojnë para KEK-ut dhe Ministrisë së Ekonomisë