Kandidati premton shtrenjëtim të cigareve dhe alkoolit

Dragisha Miriq, është pjesë e koalicionit të quajtur ‘Sloboda’ (Liria), koalicion i partive PDS dhe NPK si dhe disa iniciativave qytetare po shihet si rivale e Listës Serbe, partisë së kontrolluar nga presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq.Miriq mendon se tatimet në cigare e alkool duhet rritur ndërsa duhet ulur tatimet që lidhen me të rinjtë.

I njëjti ka qenë deputet i Parlamentit të Kosovës nga viti 2007 e deri në vitin 2011, ndërsa po synon edhe një mandat tjetër të deputetit duke kërkuar votën e komunitetit serb.

Qëllimi i koalicionit që drejtohet nga Nenad Rashiq, ku Dragisha Miriq kandidon për ulëse në Kuvendin e Kosovës, është fuqizimi i serbëve të Kosovës brenda institucioneve të vendit.

Rihapja e fabrikës së ndërtuar para 40 vitesh në fshatin Batusë të Graçanicës dhe punësimi i të rinjve të atij fshati, është synimi dhe qëllimi kryesor i Dragisha Miriq, nëse ai fiton votat e mjaftueshme për deputet.

“Punësimi i të rinjve të komunitetit serb por edhe të komuniteteve tjera”, është çështja për të cilën Miriq do të angazhohet nëse fiton mandatin e deputetit, sepse sipas tij e ardhmja e Kosovës janë të rinjtë.

Rrugëtimin e tij nëse fiton besimin e qytetarëve Miriq tha se do ta vazhdon si deputet, dhe se nuk do të synojë pozitë në qeverinë e ardhshme.

Miriq nuk ka synim të ndërrojë koalicionin ku është tash, dhe se i njëjti tha që me siguri që nuk do të votonte kundër grupit të tij parlamentar. “Unë jam veçanërisht lojtar ekipor”, tha Miriq.

Të varfrit janë shtresa e shoqërisë që do të gjejnë mbështetje tek Miriq nëse i njëjti zgjidhet si deputet.

Miriq është kundër ndërtimit të Termocentralit të tretë me qymyr, gjithashtu është shprehur kundër përdorimit të qymyrit për ngrohje gjatë dimrit.

Propozimi i tij për heqjen e qeseve të plastikës do të jeta iniciativa e parë që Miriq do ta propozojë nëse zgjidhet deputet.

Telekomi duhet të mbetet pjesë e shtetit, sepse aty punojnë shumë njerëz thotë Miriq, i njëjti thotë se nuk e kundërshton ndërtimin e  Autostradës së Dukagjinit. “ Unë do të doja të kemi autostrada në të gjitha anët, ngase janë të mirëseardhura për të gjithë”.

Miriq me shumë bindje është shprehur kundër shkëmbimit të territorit me Serbinë por thotë se edhe taksa për momentin duhet të hiqet.

Ndërtimi i hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës për Dragisa Miriq është i panevojshëm.

Ndërsa sa i përket mbylljes së Universiteteve që nuk i përmbushin kushtet për akreditim, Miriq shkurtimisht thotë se Ligji duhet respektuar, ndërsa është shprehur kundër çdo lloj monopoli që shfaqet në Kosovë.

Miriq nuk ka dhënë përgjigje për martesat ndërmjet gjinie së njëjtë. “ Jam 55 vjeçar, ne jemi ballkanas, por nuk mund të përgjigjem në këtë pyetje”, tha Miriq në intervistën e tij për KALLXO.com.

Kandidati nga komuniteti serb nuk është kundër bartjes së shamisë nëpër shkolla.

“Unë jam besimtar, respektoj fenë time kështu që do të doja që secili komb të respektonte fenë e vet, andaj pse t’i pengojë dikujt shamia nëse personi dëshiron ta bartë atë, prandaj nëse dikush dëshiron ta bartë shaminë në shkollë, pse t’i mohohet ajo”, ka thënë Miriq.

Investimet e shumta dhe ndihma që i jep Diaspora Kosovës Miriq mendon se duhet t’i shpërblehet me ulëse në Parlamentin e Kosovës, dhe se të njëjtit duhet të lirohen nga kartoni i gjelbër.

Fushatën e tij, Miriq thotë se e financon vet dhe se nuk ka pranuar para nga askush.

Miriq për momentin është i papunë dhe nëse zgjidhet për deputet do të vazhdojë të punon vetëm si deputet dhe asnjë funksion tjetër.

150 euro janë të ardhurat mujor që merr Miriq, ndërsa sa i përket pasurisë së paluajtshme Miriq thotë se ka shtëpi në fshatin e tij në Batusë të Graçanicës, ndërsa si pasuri të përbashkët me bashkëshorten ka 2 banesa.

Miriq me buzëqeshje thotë se nuk e mban mend që të jetë sëmurë ndonjëherë dhe të ketë pasur nevojë për mjek, por nëse vjen situata kur i njëjti të ketë nevojë për ndihmë mjekësor thotë se do t’i drejtohet Qendrës së Mjekësisë Familjare në Graçanicë.

Fëmijët e Dragisa Miriq kanë qenë në shkolla publike, dhe të njëjtie punojnë andaj Miriq tha se nuk do të punësojë asnjë nga familjarët e tij.

Trepça duhet të privatizohet sipas Dragisa Miriq, ndërsa nuk dha përgjigje kur u pyet për kushtëzimet e tij që mund të ketë për votën për buxhetin.

“Projekti dhe dëshira ime jetësore është të funksionalizohet fabrika në Batusë, aty ku kam lindur, ashtu që të punësohen të rinjtë”, tha ai.

Çdo ditë Miriq do t’ia kushtojë takimeve me qytetarët.

Veturat që janë më të vjetra se 15 vite Miriq thotë se nuk duhet lejuar që të importohen në Kosovë.

Miriq do të ofronte dorëheqjen e tij menjëherë nëse ndaj tij ngritët aktakuzë. “kurrë në jetë nuk më kanë dënuar, nuk jam kriminel, jam njeri  i ndershëm”, thotë Miriq. Përderisa thotë se do të votonte për rrëzim të qeverisë nëse ndaj Kryeministrit ngritet aktakuzë.

Kosova si shtet i vogël, sipas Miriq, nuk do të duhej të kishte më shumë se 15 ministri, e nga një zëvendësministër është e mjaftueshme për secilën ministri.

Miriq tha se kurrë nuk do të votonte për persona që nuk i plotësojnë kushtet  për emërtimet nëpër borde të ndërmarrjeve publike.

Në fund të intervistës për KALLXO.com, Dragisha Miriq premtoi se do bëjnë publike të gjitha fondet e koalicionit,  gjithashtu nëse zgjidhet si deputet shpenzimet dhe faturat e grupit parlamentar apo të çfarëdo institucioni do të jenë të hapura për publikun.