Kandidati i AAK-së kundër qëndrimeve të Ramush Haradinajt

Ramiz Qeriqi, kandidat për deputetë nga koalicioni AAK-PSD vjen nga komuna e Lipjanit. Ai mban numrin 58 në listën zgjedhore të këtyre dy partive ndërsa vetë ai është nga radhët e AAK-së.

Në një intervistë për KALLXO.com ai ka dalur publikisht kundër idesë për ndërtimin e termocentralit të tretë me qymyr. Jam kundër” është përgjigjur Qeriqi në pyetjen nëse është pro ose kundër ndërtimit të një termocentrali të ri. Qeveria Haradinaj nënshkroi kontratë me konzorciumin conture global për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetikë. Qeriqi është zëri i parë nga Aleanca e Haradinajt i cili del publikisht kundër ndërtimit të impianteve me qymyr.

Ai ka thënë se është për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit, kundër shkëmbimit të territoreve me Serbinë por edhe kundër heqjes së tarifës ndaj mallrave serbe.

Mendim kundër Qeriqi ka pasur edhe për martesat në mes gjinisë së njëjtë por edhe për bartjen e shamisë në shkolla.

Si ish- luftëtar i UCK-së, Ramiz Qeriqi thotë se kauzën për mbrojtjen e vlerave të luftës do ta shtyjë para nëse bëhet deputetë.

“Nëse bëhem deputet, dmth korrupsionin, po pikërisht disa gjëra që përmendet lufta shpesh, dhe kapen për luftën, unë kam qenë pjesë e luftës dhe deri tash, nuk e ka dëgjua askush zërin tim, aty do të isha shumë krenar me u ballafaqu me këta që po e përmendin luftën”, ka thënë ai.

Ai ka premtuar se nëse arrin të marr votat e mjaftueshme për deputetë, do të qëndroi në këtë pozitë dhe nuk do të pranoj poste tjera.

Si deputetë, ai tha se do të angazhohet që taksat që lehtësojnë prodhuesit vendorë do t’i ulë.

Ndërsa, disa prej amendamenteve, Qeriqi thotë se do të jenë mbi ligin për luftën dhe pensionistët.

Komuna prej nga vjen ai, Lipjani, ka disa probleme sipas Ramiz Qeriqit.

“Te ne ka shumë probleme të mëdha. Komuna e Lipjanit njihet për prodhime bujqësore, aty kisha punuar në atë drejtim. Janë edhe disa monumente historike i kanë harruar të gjitha”, ka deklaruar në intervistën për KALLXO.com.

I pyetur nëse ka gjasa ta ndërroj partinë aktuale, AAK-në, ai ka dhënë këtë përgjigje.

“Unë jo, sepse kam qenë edhe në një parti tjetër, kam qenë më i votuari në PDK si asamblesit, kam hyrë aty pasi kam menduar se do të luftohet korrupsioni do të largohen hajdutët, po përkundrazi aty janë rikthyer ata që ishin hajdut dhe për ata kam ardhur këtu. Nuk do ta ndërroj sepse tash e ndjejë vetën si në kohën e luftës, në këtë parti i mbroj interesat nacionale, interesat kombëtare dhe nuk besoj se do ta ndërroj”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se nëse qëndrimi i grupit parlamentar që i takon nuk është i njëjtë me të tij, mund të votoj edhe kundër ndërsa ka thënë se shoqëria në përgjithësi do ta ndodjë punën e tij në Kuvend, pasi, sipas tij  “këtu askush s’mendon për shoqërinë”.

Sa i përket angazhimit në legjislaturën e ardhshme për përmirësimin e ambientit dhe ajrit të ndodhur në Kosovë, Qeriqi thotë se bashkë me partinë do të angazhohet.

Ramiz Qeriqi është kundër ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr në Kosovë dhe kundër djegies së qymyrit në shtëpi gjatë dimrit.

Kundër, ai është edhe përdorimit të qeseve të plastikës.

Ndërsa, njëra prej temave që dy vitet e fundit ishte pjesë e diskutimeve publike, Telekomi i Kosovës, sipas Qeriqit, kjo ndërmarrje publike nuk duhet të shitet.

Anëtari i ri i AAK-së është për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit ndërsa është kategorikisht kundër shkëmbimit të territoreve me Serbi dhe heqjes së tarifës ndaj mallrave serbe.

I pyetur rreth rreth asaj se a është për apo kundër ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës, numri 58 i listës AAK-PSD, ka thënë se nuk ka ndonjë përgjigje.

Ai është shprehur për mbylljen e universiteteve nëpër komuna nëse atyre nuk u akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit.

Ka thënë se është kundër monopolit në homolgim por edhe kundër martesave në mes të gjinisë së njëjtë dhe bartjes së shamisë në shkolla.

Kundër, Ramiz Qeriqi është edhe për një kuotë për deputetet e diasporës.

I pyetur për ridizajnimin e skemës për veteranet e luftës, ai ka thënë se një gjë e tillë duhet të ndodh.

“Unë kam qenë pjesë e komisionit, duhet edhe njëherë me i ri verifikuar. Shumë persona do të pësojnë edhe personat që sot janë pjesë e qeverisjes”, ka thënë ai.

Sipas Qeriqit, kartoni i gjelbër për diasporën duhet të hiqet.

Ndonëse fushata ende nuk ka nisur zyrtarisht, ai ka thënë se vetë po e financon atë.

Qeriqi ka premtuar se kur të bëhet deputetë do ta mbaj vetëm një vend pune. Ndërsa ka treguar edhe të hyrat mujore, pasurinë e përbashkët.

“Unë jam i papunë tani, por nëse më jepet mundësia vetëm një vend pune do ta mbaj. Të hyrat mujore janë 300 euro, pasuri kam vetëm një shtëpi personale familjare. E kemi bashkë me gruan”, ka thënë ai.

Ai ka dhënë një përgjigje interesante kur është pyetur se ku do të shkonte kur të bëhet deputetë për tu shëruar.

“Unë e dua Shqipërinë dhe shkoj në Shqipëri”, ka thënë Qeriqi.

Fëmijët e tij vijojnë shkollimin në shkolla private ndërsa ka thënë se përveç një fëmijë, të tjerët janë të papunë.

“Trepça” sipas tij duhet të mbetet nën qeverisjen shtetërore ndërsa ka thënë se nuk ka ndonjë projekt me të cilën do ta kushtëzonte votën për buxhet në Kuvend.

I pyetur për ndonjë projekt apo punë me të cilën do të lente gjurmë në jetën parlamentare, Qeriqi ka dhënë këtë përgjigje.

“Do të jetë një projekt edhe i befasishëm, do të jenë do gjëra që si ka prekur askush si deputetë dhe nuk jau them, po shkova do të takohemi me juve prapë”, ka deklaruar ai.

Si pjesë e asamblesë në komunën e Lipjanit, ai tha se do të jetë fort aktiv edhe në Kuvend nëse bëhet deputet.

“Shumë, unë kam qenë këtu dhe jam asamblist jam shpallur dy herë më i miri dhe besoj që do të jetë Kuvendi interesant me mua, nuk do të jetë sikur tash”, tha ai.

Sa i përket vitit të makinave që nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë, ai tha se nuk duhet të ketë kufizime për shkak të gjendjes sociale në të cilën gjendet vendi.

Ndërsa, ka thënë se nuk e di sesa takime do t’i inicioj nëse është pjesë e ndonjë komisioni në Parlament.

Anëtari i AAK-së ka thënë se nuk do të jap dorëheqje në rast se i ngritët aktakuzë në të ardhmen.

“Jo. Nuk jap dorëheqje. Mund të ndodhë që aktakuza është e pabazë, pse me dhanë dorëheqje”, ka deklaruar ai.

Njëjtë ka thënë se edhe në rast se kryeministri i ardhshëm i Kosovës do të kishte aktakuzë, ai nuk do të votonte për rrëzimin e tij pa u vërtetuar aktakuza.

Qeriqi, tutje tha se preferon një Qeveri më të vogël sesa ishte ajo e fundit ndërsa sa i përket zëvendës ministrave, ai mendon se nga dy zv. Ministra do të ishin të mjaftueshëm.

Ai ka premtuar se nuk do të votoj për anëtarësim në bordet të ndërmarrjeve njerëzit që nuk e meritojnë ndërsa ka premtuar transparencë në fondet e partisë dhe qasje në dokumente dhe fatura.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen të dielën e 6 tetorit. Koalicioni AAK-PSD i ka bashkuar forcat në një listë të përbashkët për të zgjedhur kryeministër kandidatin, Ramush Haradinaj.